Kryeministri Edi Rama përkujtoi këtë të mërkurë bluzat e bardha që humbën jetën për shkak të koronavirusit. Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Infermierëve, Rama tha para infermierëve se fjalët për punën e tyre gjatë pandemisë nuk mjaftojnë.
“Ju keni lënë familjet tuaja dhe jeni privuar nga kontaktet normale që të ruani familjet tuaja dhe t’u përkushtoheni atyre që pa ju, do ta kishin pasur të pamundur t’i mbijetonin këtij armiku. Edhe pse fjalët në këtë rast nuk mjaftojnë, realisht nga zemra një “Faleminderit” shumë, shumë të madh, për të gjithë ju që jeni këtu dhe për të gjithë ata që nuk janë sot këtu, bashkë me ne.”
Edi Rama zbuloi edhe vendimin e parë që do të marrë qeveria e re socialiste në shtator. Ai premtoi se fëmijët e atyre që bien në krye të detyrës do të mbështeten nga qeveria derisa të mbushin 18 vjeç.
“Duke parë fotografitë e kolegëve tuaj që humbën jetën në këtë përpjekje, më duket vendi i duhur për të përsëritur një angazhim që e kam marrë qysh përpara ditës së zgjedhjeve. Vendimin e parë të qeverisë së re ne do t’ua kushtojmë atyre që i quaj me plot gojën, Fëmijë të Republikës, vajzat dhe djemtë e të gjithë njerëzve që u kanë shërbyer qytetarëve, shtetit dhe kanë rënë në krye të detyrës. Me këtë ligj të ri që do të miratojmë për ta, deri në ditën e daljes së tyre të pavarur në jetë, do të kujdeset Republika e Shqipërisë, në mënyrë të posaçme. Ne mund të bëjmë më shumë sesa kaq, si shoqëri dhe si qeveri në emër të shoqërisë. Është koha që jo vetëm t’i nderojmë këta njerëz të mirë dhe profesionistë, të përkushtuar, me titullin e “Dëshmorit”, por të marrim përsipër të kujdesemi për fëmijët e tyre. Kjo është dita edhe për të thënë që ne nuk do ia kishim dalë dot, jo siç ia kemi dalë deri tani, nëse nuk do të kishim investuar me të gjitha forcat.”