Subscribe

Ditmir Bushati i ka dorezuar detyren si minister i Jashtem, kreut te qeverise Edi Rama ne nje ceremoni te zhvilluar ne ambientet e Ministrise.

 

Në fjalën e lamtumirës para stafit të diplomacisë, ministri në largim, Ditmir Bushati u shpreh se Shqipëria sot në arenën ndërkombëtare po bëhet gjithmonë e më shumë një aktor I besueshëm dhe kjo vetëm falë punës së institucionit të Minsitrisë së Jashtme.

 

“Unë besoj se sot Shqipëria është një partner dhe aktor gjithnjë e më i besueshëm në arenën ndërkombëtare, me një fizionomi të qartë e të pangatërrueshme të saj në mozaikun e familjes tonë euro-atlantike. Falë punës tonë të përbashkët, kemi arritur të projektojmë një Shqipëri më dinjitoze dhe proaktive, e cila sfidat i sheh si mundësi dhe jo si probleme.”

 

Bushati tha gjthashtu se gjatë kësaj periudhe pesëvjeçare u hodhën hapa të rëndësishëm drejt integrimit të Shqipërisë në BE. Ai pohoi gjithashtu se u ndërtuan hapa strategjikë me SHBA dhe BE ndërsa theksoi se është forcuar akoma më shumë roli I Shqipërisë në NATO.

 

“Me këtë qasje, ne: Konsoliduam partneritetin strategjik me SHBA-në dhe BE-në; Hodhëm hapa të rëndësishëm në procesin e integrimit europian, me fitimin e statusit të vendit kandidat, marrjen e rekomandimit të qartë të Komisionit Europian për nisjen e bisedimeve për anëtarësim dhe vendimmarrjen e BE-së për fillimin e procesit “screening” dhe kalendarin e bisedimeve; Forcuam më tej rolin tonë në NATO, si një kontribut të përbashkët për familjen euro-atlantike të cilës i përkasim. Anëtarësimi i Shqipërisë për herë të parë në Këshillin e të Drejtave të Njeriut të OKB-së, ishte dëshmi e ndjeshmërisë sonë sociale ndaj respektimit dhe promovimit të lirive dhe të drejtave themelore të njeriut, sikundër kontribut për multilateralizimin. Për herë të parë një përfaqësues shqiptar u zgjodh në Komitetin Ndërkombëtar për të drejtat civile dhe politike të OKB-së.”

 

Bushati theksoi gjithashtu si një arritje të institucionit të diplomacisë edhe përmirësimin e imazhit dhe peshën e vendit tonë në arenën ndërkombëtare.

 

“Duke marrë për herë të parë drejtimin e një organizate të rëndësishme si OSBE për vitin 2020. Modernizuam shërbimet konsullore si asnjëherë më parë, duke ulur ndjeshëm abuzimin, koston, kohën dhe duke rritur cilësinë e shërbimeve për qytetarët tanë kudo ku ndodhen, duke fuqizuar njëkohësisht lidhjen tonë me Diasporën e duke i konsideruar ata shtrirje të natyrshme të politikës sonë të jashtme. Hapëm ministrinë për një brez të ri diplomatësh. Me qindra studentë praktikantë, ndihmojnë sot trupën tonë diplomatike. Rritëm ndërveprimin me botën jashtë këtyre mureve duke përdorur rrjetet sociale, e duke e kthyer shërbimin e jashtëm në një prej platformave më të ndjekura digjitale. Forcuam meritokracinë duke përmirësuar rrënjësisht sistemin e rekrutimit dhe karrierës në shërbimin e jashtëm mbi bazën e aftësive, si dhe përmirësimin e trajtimit financiar për diplomatët dhe familjet e tyre.

 

Në fund të fjalës së tij, Bushati u shpreh besimplotë se ministria është shumë herë më e mirë se ç’kishte qenë dhe se është e aftë për t’u përballur me sfidat e kohes, ndoëse sipas tij nuk ka garanci se ajo që Shqipëria ka përpara do të jetë më e lehtë se ajo që do lëmë pas.

 

“Nuk ka garanci se ajo çfarë kemi përpara do të jetë më e mirë a më e lehtë se ajo çfarë po lëmë pas. Puna jonë transformuese ka krijuar me siguri të pakënaqur dhe kundërshtarë. Por një gjë është e sigurt: sfidat na kanë bërë më të fortë, më të qëndrueshëm e shpresoj më të denjë për Shqipërinë e të nesërmes.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *