Në Finlandë po mbahen sot zgjedhjet për presidentin e ri të vendit. Procesi zhvillohet në një kohë të pashembullt për kombin nordik, tashmë anëtar i NATO-s dhe me kufirin e tij lindor me Rusinë, të mbyllur; dy gjëra pothuajse të paimagjinueshme disa vite më parë.

Qendrat e votimit u hapën në orën 9 të mëngjesit dhe do të mbyllen në orën 20:00 me orën lokale.

Ndryshe nga shumica e vendeve evropiane, presidenti i Finlandës ka pushtet ekzekutiv në formulimin e politikës së jashtme dhe të sigurisë, veçanërisht me vendet që ndodhen jashtë Bashkimit Evropian, si Shtetet e Bashkuara, Rusia dhe Kina.

Presidenti vepron gjithashtu si komandanti suprem i ushtrisë finlandeze, një detyrë që merr një rëndësi të veçantë në mjedisin aktual të sigurisë në Evropë.

Rreth 4.5 milionë votues do të zgjedhin kreun e ri të shtetit nga një grup prej nëntë kandidatësh, gjashtë burra e tre gra. Ata do të zgjedhin një pasardhës të Presidenti jashtëzakonisht popullor Sauli Niinistö, mandati i dytë gjashtëvjeçar i të cilit skadon në muajin mars. Ai nuk ka më të drejtë për t’u rizgjedhur.

Asnjë kandidat nuk pritet të marrë më shumë se 50% të votave në raundin e parë të votimit të së dielës, çka do ta shtynte garën drejt një balotazhi që do të mbahet në shkurt.

Sondazhet e fundit sugjerojnë se ish-Kryeministri Alexander Stubb, 55 vjeç dhe ish-Ministri i Jashtëm Pekka Haavisto, 65 vjeç, janë pretendentët kryesorë.

Zoti Stubb, i cili përfaqëson Partinë Konservatore të Koalicionit Kombëtar dhe kryesoi qeverinë finlandeze në vitet 2014-2015, si dhe politikani veteran Pekka Haavisto, një ish-diplomat i Kombeve të Bashkuara që kandidon për këtë post për herë të tretë, vlerësohet se do të fitojnë përkatësisht 23% dhe 27% të votave.

Ata pasohen nga Kryetari i Parlamentit dhe ish-udhëheqësi i Partisë së ekstremit të djathtë finlandez Jussi Halla-aho me rreth 18%.

Kreu i ri i shtetit të Finlandës do të fillojë një mandat gjashtë-vjeçar në mars në një situatë gjeopolitike dhe sigurie dukshëm të ndryshme në Evropë nga ajo me të cilën u përball zoti Niinistö pas zgjedhjeve të 2018-ës.

Duke hequr dorë nga politika shumëvjeçare e mos-angazhimit ushtarak, pas sulmit rus ndaj Ukrainës, Finlanda u bë anëtarja e 31-të e NATO-s në prill, një zhvillim që shkaktoi zemërim të madh tek Presidentin rus Vladimir Putin, vendi i të cilit ndan një kufi prej 1340 kilometrash me kombin nordik./voa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *