Subscribe

Ky 25 dhjetor në Betlehemin e shenjtë, aty ku besimtarët e krishtere besojnë se ka lindur Krishti, ka mbërritur pa atmosferën e zakonshme, nën hijen e kufizimeve nga pandemia e koronavirusit.

 

Mesnata erdhi mes lutjesh ndërsa kishat nuk ishin parë ndonjëherë kaq të boshatisura. Meshat u ndoqën kryesisht online. Por disa vende në lindjen e mesme, sikurse në Irak festuan mes turmash.

 

Panorama u shfaq krejt ndryshe në kontinentin e vjetër, të mbërthyer nga kufizimet, veçanërisht për ditët e festave.

 

Papa Françesku drejtoi meshën e Krishtlindjes nga bazilika e Shën Pjetrit me më pak se 100 pjesëmarrës dhe vetëm një numër të vogël të kardinalëve dhe peshkopëve.

 

Zakonisht marrin pjesë deri në 10,000 besimtarë, përfshirë diplomatet që përfaqësojnë rreth 200 vende. Papa Françesku në fjalën e tij nënvizoi thirrjen për të hequr dorë nga lakmia dhe padrejtësitë.

 

“Krishtlindja duhet të bëjë që të gjithë të reflektojnë mbi padrejtësinë tonë ndaj kaq shumë vëllezërve dhe motrave tona në vend që të ndjekin dëshirën për të pasur sa më shumë. Zoti erdhi mes nesh në varfëri dhe nevojë, për të na thënë se duke u shërbyer të varfërve, ne do të tregojmë dashurinë tonë për të. Zoti gjithmonë na do me një dashuri më të madhe sesa kemi për veten tonë. Ky është sekreti i tij për të hyrë në zemrat tona”.

 

Edhe në rajon, Krishtlindja është festuar në shtëpi, ndërsa meshat janë ndjekur nga një numër i kufizuar klerikësh dhe besimtarësh.

 

Liderët politikë në të gjithë botën nuk i kanë kursyer mesazhet për paqe, ndihmë të ndërsjellë dhe tolerancë. Ndërkohë kaosi i shkaktuar në portin Dover edhe pse Franca i hapi kufijtë me Britaninë e Madhe, ka lënë larg familjeve qindra shoferë kamionësh, të cilët nuk mundën të mbërrinin për festë.

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *