Fermerët në Greqi nuk e kanë ndalur revoltën e tyre.
Tensionet u përshkallëzuan ndjeshëm në qytetin Heraklion në Kretë, ku protesta mori përmasa të mëdha dhe u shoqërua me incidente të dhunshme.
Situata doli jashtë kontrollit pas vendimit të fermerëve për të bllokuar aeroportin “Nikos Kazantzakis”, një masë që u mor në një takim të zhvilluar herët në mëngjes.
Përpjekja e fermerëve për të çarë barrikadat policore solli ndërhyrjen e menjëhershme të forcave të rendit, të cilat përdorën armë kimike dhe granata zhurmuese për t’i shpërndarë.
Bujqit u kundërpërgjigjën duke qëlluar me gurë drejt policisë.
Në kulmin e përplasjes, një automjet i policisë u përmbys nga demonstruesit, ndërsa si pasojë e incidenteve një civil dhe një oficer policie mbetën të plagosur.
Ndërkohë fermerët në zonën e Larisës, e cila shihet si epiqendra e rezistencës së fermerëve vendosën që të nisin edhe bllokimin e rrugëve anësore të qarkullimit.
Në bllokadën e Nikeias rreth 4.000 traktorë qëndrojnë të rreshtuar. Nga ana tjetër, Selaniku është praktikisht i rrethuar nga 4 bllokada rrotull qytetit. Edhe në këtë zonë janë regjitruar edhe përplasje me policinë.
Sakaq, tre bllokime janë realizuar në aksin Athinë–Lamia dhe një e katërt po përgatitet./vizionplus.tv





