Fermerët grekë zbarkuan sot në portin e Selanikut, si pjesë e fazës së dytë të mobilizimeve të tyre protestuese.
Ata mbërritën aty me traktorë, automjete bujqësore dhe autobusë turistikë, ndërsa janë shtuar forcat e policisë për këtë tubim.
Policia Kufitare Kakavijë, është njoftuar se këtë të premte nga ora 19:00 deri në orën 22:00 (me orën greke), aksi rrugor Kakavijë–Janinë, në kryqëzimin e fshatit Kallpaq, do të jetë i bllokuar për shkak të tubimit të fermerëve.
Ndërsa do të lejohen të qarkullojnë vetëm automjetet që do të kenë emergjenca shëndetësore.
Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis ka ftuar ditën e hënë blegtorët për të diskutuar në zyrën e tij.
“Do të pres në zyrën time të hënën pasdite në orën 5 për delegacionin që do të emërohet nga komiteti koordinues i fermerëve, siç kemi bërë shumë herë në të kaluarën, sepse ne jemi partia që mbështet fermerët”, tha ai.
Ndërkohë një ditë më parë fermerët e Kretës zhvilluan një takim me zëvendëskryeministrin Kostis Hatzidakis dhe ministrin e Zhvillimit Rural, Kostas Tsiaras, ku paraqitën kërkesat e tyre, ndërsa të dy zyrtarët u zotuan t’i shqyrtojnë ato.
Greqia është “paralizuar” nga protestat e fermerëve, të cilët kanë bllokuar akset kombëtare për vonesat ne dhënien e subvencioneve të BE-së pas një skandali korrupsioni./vizionplus.tv





