Përfaqësuesi i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi u ndal këtë të diel në fshatin Shpërdhet të Kurbinit. Ai takoi nga afër kryefamiljarin Eduart Hysa, që ankohet se shteti nuk e ka ndihmuar, edhe pse shtëpia ju prish nga tërmeti.
Ai thotë se ka qëndruar për nëntë muaj në çadër, madje një fëmijë i lindi aty. Por tani ai është kthyer në shtëpinë e shkatërruar sepse e sheh veten të pashpresë.
“Unë jam Eduart Hysa, banor i Shpërdhetit. Deri para një jave kam ndenjur në çadër dhe tani po jetoj në shtëpi të shembur, siç po e shihni edhe ju. Jam vetë i gjashti, nëntë muaj në çadër. Nuk kam rrugë tjetër, nuk jetohet me fëmijë të vegjël në çadër gjithë kohës. Tani përsëri këtu në shtëpi, po rrezikojmë. Ka ardhur dhe më kanë thënë… kur kanë ardhur për herë të parë inxhinierët më kanë thënë që mos hyni brenda, se kjo rrezikon që të shembet. Pastaj kur ka dalë akt konstatimi ma kanë nxjerr DS2 të mesëm, nuk ma kanë vlerësuar siç duhet. Kam 3 fëmijë! Më të madhin 9 vjeç, më të voglin 6 muajsh. Ai ka lindur në çadër. Unë jam invalid. Marr një kemp nga 100 mijë lekë (të vjetra).”
Gjatë ditëve të fundit, anëtarë të PD kanë kryer disa takime me banorë të dëmtuar nga tërmeti në Durrës e Thumanë. Shqetësimi i tyre është i njëjtë, rindërtimi i shtëpive të dëmtuara.