Fasoneritë përbëjnë rrezik për jetën e punonjësve në kohën e koronavirusit. Për këtë arsye, kryetari i Shoqatës së Fasoneve, Gjergji Gjika kërkon që të merren masa të jashtëzakonshme sepse sipas tij, edhe situata është e jashtëzakonshme.

 

Në një intervistë telefonike për emisionin “7 pa 5” ai tha se këtë të mërkurë do të ketë edhe një mbledhje të të gjithë drejtuesve të fasonerive për të dalë me një vendim.

 

Gjergji Gjika pranoi se pjesa më e madhe e fasonerive punojnë me staf shumë të reduktuar sepse shumica e punonjësve janë detyruar të largohen duke qenë se kanë fëmijët në shtëpi.

 

Intervista e plotë:

 

Edhe Shqipëria është përfshirë tashmë në valën e frikës dhe të panikut prej situatës së koronavirusit. Çfarë ndodh me fasoneritë, punojnë ditën e sotme?

 

Në fakt, është reduktuar shumë edhe numri i punonjësve. Kjo varet edhe nga informacioni që kanë marrë, varet edhe nga ajo se çfarë ndodh rreth e rrotull. Sepse falë edhe gazetarëve, informacioni është në kohë reale dhe si rrjedhim, të gjithë njerëzit janë sot koshientë për atë rrezik shumë të madh, i cili nuk është vetëm shqiptar, por është i importuar.

 

Për fatin tonë të keq, Italinë e kemi shtet fqinj dhe mbi 80% e eksporteve tona kanë destinacion Italinë. Kështu që 76 mijë punonjësit që punojnë në 761 ndërmarrje të fasonit në Shqipëri kanë lidhje direkte ose indirekte me vendet më të prekura me koronavirus. Them edhe më të prekura sepse dy janë vendet më të prekura, është Kina dhe Italia. Të mos harrojmë që Kina është prodhuesi kryesor në botë i tekstileve nga marrin lëndën e parë edhe furnitorët kryesorë italianë. Këtij problemi shumë të madh i shtohet edhe trajtimi i kësaj sëmundjeje që ka ardhur në Shqipëri dhe puna në grup, duke qenë se janë ndaluar edhe me vendim qeverie grumbullimet, detyrimisht që do të ketë efektin e vet.

 

Pastaj vendimi që u mbyllën kopshtet, çerdhet, shkollat, bën që nënat që kanë fëmijë, duan apo nuk duan, një pjesë e mirë e tyre do të rrinë në shtëpi sepse nuk ka kush i mban. Nga ana tjetër kemi datat e dorëzimit të produktit të gatshëm, të cilat duhet të zbatohen. Është një problem kompleks, shumë i vështirë për t’u zgjidhur dhe mbi të gjitha të mos harrojmë, është jeta e njerëzve në dorë.

 

76 mijë njerëz të cilët ju thoni janë në sistemin e fasonerisë ku punojnë, janë sot në punë apo jo?

 

Një pjesë e mirë jo.

 

Çfarë do të thotë një pjesë e mirë, nga 76 mijë sa është një pjesë e mirë?

 

Nga informacionet që kam unë nga rrethet, ka mungesa shumë mbi normalen. Nuk mund t’i them me shifra sepse kjo kërkon një analizë statistikore. Ne kemi ndërmarrje që nga Tirana, Durrësi, Fieri, Vlora dhe në Shkodër që janë mbi 50% të ndërmarrjeve me kapacitet nën normalen.

 

Pse nuk është marrë vendim për mbylljen në këtë kohë që flitet kaq shumë dhe çdo gjë është pezulluar për momentin, pavarësisht se ka dëme të mëdha në ekonomi?

 

Keni shumë të drejtë, ne sot kemi një mbledhje të zgjeruar të Kryesisë. Është hera e parë që bëjmë një mbledhje urgjente. E kishim planifikuar për dje pasdite, por për arsye teknike, të transportit sepse do të vijnë nga të gjitha rrethet, do ta kryejmë sot në drekë. Ne kemi një mbledhje të jashtëzakonshme për të dalë me një vendim dhe do ta bëjmë publik sapo mbledhja të mbarojë pasi ju thashë që jeta e njerëzve është mbi gjithçka.

 

Pra pritet që vendimi i sotëm të jetë për një pezullim të punës?

 

Nuk mund të prononcoj mendimet e mija personale sepse ne do të marrim një vendim kolegjial. Por për mua, kjo situatë e jashtëzakonshme që po kalon vendi, do masa të jashtëzakonshme. Qeveria shqiptare duhet të marrë përgjegjësitë e veta, kostot financiare për këtë situatë të jashtëzakonshme.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *