Ministrat e jashtëm nga shtatë vendet më të industrializuara në botë, janë bërë bashkë në kështjellën 400-vjeçare në resortin Veissenhaus të Detit Baltik, për të gjetur një zgjidhje që do të zhbllokonte eksportin e drithrave të prodhuar në Ukrainë.

 

Ministrja e jashtme gjermane, Annalena Baerbock deklaroi se miliona ton drithëra nuk mund të eksportohen, pasi Rusia ka bllokuar portet ukrainase.

 

ANNALENA BAERBOCK

MINISTRE E JASHTME, GJERMANI

 

“25 milion ton drithëra janë të bllokuara në portet ukrainase, kryesisht në Odesa. Këto drithëra nevojiten urgjentisht, kryesisht në vendet e varfëra në Afrikë dhe në Lindjen e Mesme. Nuk duhet t’i lemë në baltë. Qëllimi i presidentit rus është të përçajë bashkësinë ndërkombëtare. Ne si G7 do t’i kundërvihemi kësaj dhe nuk do ta lejojmë të ndodhë.”

 

Ndërprerja e eksporteve po ashtu rrezikon bllokimin e depove që nevojiten për të korrat e ardhëshme. Për këtë arsye Komisioni i BE-së ka premtuar se do të lehtësojë transportin përmes rrugëve tokësore dhe hekurudhave.

 

Krahas shqetësimeve për sigurinë ushqimore, G7 ka në fokus të bisedimeve tre ditore edhe alarmin se konflikti mund të përhapet në Moldavi.

 

Fqinji jugperëndimor i Ukrainës përvecse po përballet me fluksin e refugjatëve, ka parë disa incidente që përfshijnë separatistët pro-rusë në rajonin e Transdniestrisë. Këto zhvillime kanë ngritur alarmin ndërkombëtar se lufta mund të zgjerohet në kufi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *