Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj deklaroi se protestat e ditëve të fundit në vend për Klodian Rashën janë nxitur nga partitë opozitare.

 

Nga studioja e lajmeve në “Vizion Plus”, Gjonaj tha se prokuroria duhet të nisë një hetim për ata që përdorën të miturit për të kryer akte dhune.

 

Ajo komentoi edhe vendimin e qeverisë për të lidhur pension të veçantë për familjen e Klodian Rashës.

 

Intervista e plotë:

 

-Deri dje komunikimi publik i qeverisë ka qenë e tillë që opozita në bllok ka qenë pas protestave të përnatshme të të rinjve në Tiranë dhe në disa qytete. Kurse sot kryeministri e veçoi Lulzim Bashën, duke thënë se përgjegjës kryesor është presidenti dhe ish-kryeministri Berisha. Nga çfarë niset kryeministri për një konsideratë të tillë?

 

Ne kemi parë gjatë këtyre ditëve që ka patur eksponentë apo edhe drejtues të institucioneve të pushtetit vendor të PD dhe të LSI dhe besoj që të gjitha pamjet kanë treguar që në mos janë orgnaizatorët kryesorë, ata kanë qenë pjesë. Sot nuk mund të konsiderohen më as protesta sepse janë akte dhune, akte që kanë shkatërruar gjithë pjesën e instituioneve publike, një sërë të instituciineve kulturore. Pjesë e këtyre organizimeve kanë qenë edhe eksponentë të partive opozitare.

 

-Qeveria mori një vendim për të lidhur një pension për familjen Rasha. A nuk është ky një vendim i parakohshëm në kuptimin që çështja është ende nën hetim?

 

Është tërësisht në kompetencën e Këshillit të Ministrave për të nxjerrë një vendim mbi një bazë ligjoire që është ligji për Sigurimet Shoqërore. Nuk është një akt i jashtëzakonshëm. I referohet përgjigjes me masa për shkak të kësaj humbjeje jete të djalit të tyre.

 

-Pra qeveria ka marrë një krah, e quan viktimën të pafajshëm…

 

Kjo nuk ka lidhje fare me përgjegjësinë penale të efektivit apo si do të vensoë në fund gjykata. Kjo lidhet me një akt administrativ. Nuk ka një detyrim ligjor që një akt i Këshillit të Ministrave të dalë pasi të përfundojë një proces gjyqësor. Qeveria nuk është ajo që do të bëjë drejtësi për humbjen e djalit. U shqyrtuan disa nga kushtet dhe rrethanat që duhet të përmbushë një familje për t’i akorduar një pension. Përsa kohë ka një bazë ligjore dhe thuhet që ka një humbje jete nga organet ligjzbatuese, në rastin konkret nga policia, atëherë lidhet një pension.

 

-Çfarë parashikon ligji për të miturit, si do të veprohet me ata që janë ndaluar dhe arrestuar. Janë disa dhjetëra tani për tani…

 

Në këtë protestë janë keqpërdorur të miturit. Atyre u njihet e drejta për t’u grumbulluar, por në mënyrë paqësore. Ata janë përdorur nga ata që i kanë nxitur për të qenë pjesë e këtyre protestave. Prokuroria duhet të fillojë hetime për ata që kanë nxitur këto protesta. Për përgjegjësinë penale që mbajnë ata të mitur, është gjykata që vendos masën e sigurisë për ta. Gjithmonë është shkuar në masa alternative dhe më të buta.

 

-Ka qenë pjesë e debatit publik ditët e fundit një dokument lidhur me ndryshimet në Kodin Penal. A ka një proces të tillë?

 

Patjetër që ka. Nuk ka asnjë lidhje as me humorin virtual, as me satirën, ka një draft të Kodit Penal që po punohet në grup eskpertësh. Nuk është një draft final, institucional i Ministrisë së Drejtësisë. Do t’i nënshtrohet një skanimi, filtrimi. Ky nuk është një Kod Penal që i shërben vetëm të sotshmes, por të ardhmes që Kode të tilla të mos ndryshohen.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *