Gjashtë deputetë të Partisë Demokratike nuk do të mund të marrin pjesë për 30 ditë në sesionin e ri parlamentar, që pritet të nisë në janar.
Sekretariati i Etikës, shqyrtoi kërkesën e mazhorancës për të përjashtuar plot 29 ligjvënës të opozitës, megjithatë pa shqyrtimit të provave filmike, 23 prej tyre shpëtuan.
Pas mbledhjes, ishte drejtuesi i mbledhjes Ulsi Manja, i cili bëri me dije emrat që morrën masë disiplinore.
“Sot pamë pamjet nga seanca jo normale (18 dhjetorit), me veprime të dhunshme, ju ishit dëshmitarë dhe prezentë. Me vendim të Sekretariatit të Etikës u mor vendimi përjashtohen me 30 ditë deputetët: Flamur Noka, Albana Vokshi, Elda Hoti, Belind Këlliçi, Klevis Balliu dhe Fidel Kreka. përdeputetet e tjerë u vendos këtë radhë të mjaftohet vetëm me tërheqje të vëmendjes”, tha Ulsi Manja.
Ky vendim i sekretariatit të etikës u cilësua i pritshëm nga opozita. Në emër të Partisë Demokratike, Flamur Noka u shpreh se vendimi nuk do të respektohet.
“Urdhrat e Suelit dhe Agasit nuk na trembin. Me vërshimin e qytetarëve dje në bulevard këta e kanë marrë mesazhin ndaj janë të tërbuar. Nuk ndalemi deri në çmontimin e tyre. Po u rrëshqet dheu nën këmbë, jemi të vendosur të çojmë deri në fund misionin tonë”, u shpreh Flamur Noka.
Deputetët e përjashtuar me vendim të Sekretariatit të Etikës, nuk do të mund të marrin pjesë në seancat e ardhshme parlamentare dhe komisionet e kuvendit.
Ndërsa deputetët që kanë marrë vetëm tërheqje të vëmendjes mund të përjashtohen në rast se krijojnë kaos./vizionplus.tv





