Shqipëria ka plotësuar të gjitha kushtet e përcaktuara në Konkluzionet e Këshillit Europian në Mars të vitit 2020 për Konferencën e parë Ndërqeveritare. Ky është përfundimi i Komisionit Europian në një raport të detajuar, ku prezanton progresin e vendit tonë në rrugën drejt integrimit.

 

Për Gledis Gjipalin e “Lëvizjes Evropiane” në vendin tonë, raporti, edhe pse përgjithësisht ishte pozitiv, kishte edhe përsëritje të qëndrimeve të mëparshme të Komisionit Evropian.

 

“Është përsëritje e qëndrimeve të komisionit sa i përket hapit të radhës: mbajtjes së Konferencës Ndërqeveritare. U propozua edhe vitin e kaluar nga Komisioni Evropian, por shkak u bë Bullgaria. Pjesa tjetër ku vlerësohet i gjithë progresi i bërë në Shqipëri janë zhvillimet e viteve të fundit. Panorama është pozitive në përgjithësi, i gjithë raporti është pozitiv”, u shpreh Gjipali në një lidhje direkte në “Vizion Plus”.

 

I pyetur nëse ulja në Konferencën Ndërqeveritare do të shmangte “tundimin për të hequr vështrimin nga modelet lindore”, Gjipali u përgjigj:

 

“Angazhimi i vazhdueshëm në proces e bën edhe më të prekshëm procesin, më të qartë fundin e tij, pra, anëtarësimin në BE. Gjë që vihet në dyshim kohët e fundit për shkak të qëndrimeve të ndryshme dhe bllokimeve që i bëhet procesit, por ka edhe një ftohje të publikut të disa vendeve evropiane në lidhje me zgjerimin. Sigurisht, që e bën më të dyshimtë të gjithë procesin, duke bërë që vendet e Ballkanit Perëndimor të shohin mundësi të tjera bashkëpunimi të thelluara qoftë në nivelin ekonomik, por edhe politik.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *