Policia e Elbasanit, gjatë operacionit të koduar “Reagimi”, ka arrestuar një 32-vjeçar, i cili plagosi një shtetas me armë gjahu gjatë një konflikti për motive të dobëta. Autori, identifikuar si Ilir Dedja, me precedent të mëparshëm penal për vjedhje, u kap dhe u arrestua falë reagimit të menjëhershëm të forcave të rendit.
Në banesën e tij, Policia gjeti një armë zjarri automatike me silenciator, armën e gjahut me të cilën dyshohet se Dedja plagosi 53-vjeçarin B. B., si dhe municion luftarak. Armët u dërguan për ekzaminim në Institutin e Policisë Shkencore për të verifikuar nëse ishin përdorur në ngjarje kriminale të tjera.
Gjithashtu, një 35-vjeçar, A. M., është proceduar penalisht për moskallëzim të krimit, pasi dyshohet se ka pasur dijeni për ngjarjen dhe nuk ka informuar autoritetet.
I plagosuri, shtetasi B. B., është në kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.





