Policia e Tiranës ka vënë në pranga një 20-vjeçar dhe ka shpallur në kërkim bashkëpunëtorin e tij, pasi dyshohet se kanë vjedhur një automjet në një garazh në rrugën “Kol Koçi”, në zonën e Yzberishtit.
Në kuadër të operacionit policor të koduar “Micro”, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 6 kanë arrestuar në flagrancë shtetasin Marjus Shkëmbi, ndërsa është shpallur në kërkim shtetasi Ergivio Hysa (Braushaj), të dy 20 vjeç dhe banues në Tiranë.
Vjedhja është denoncuar nga një 28-vjeçare, të cilës i ishte marrë automjeti tip “Nissan Micra”, që ndodhej në garazhin e pallatit ku ajo banon. Pas hetimeve të shpejta, policia ka arritur të identifikojë dhe arrestojë njërin nga autorët, ndërsa automjeti i vjedhur është sekuestruar si provë materiale, pasi u gjet pranë banesës së të arrestuarit.
Vijojnë kërkimet për kapjen e bashkëpunëtorit të tij.
/vizionplus.tv