Dejzi Zylaj, një emër premtues në muzikë, është një nga finalistet e spektaklit me përmasa botërore, Albania’s Got Talent në Vizion Plus.
Fantastikja Dejzi Zylaj arriti të marrë komente pozitive për performancën e saj në skenë nga katër anëtarët e jurisë: Agron Llakaj, Adelina Ismajli, Ledina Çelo dhe Kastro Zizo.
14-vjeçarja është një nga pretendentet që do të vazhdojë garën për titullin e madh.
E ftuar në “Vizioni i Pasdites”, Zylaj rrëfeu emocionet e para pasi u shpall finaliste. 14-vjeçarja shtoi se mbështetësja e saj më e madhe është e ëma dhe familja.
Ajo deklaroi se muzikën e sheh si karrierën e saj në të ardhmen.
Zylaj: Më kujtohet çdo lloj emocioni. Kur u zgjodha për në finale, ishte një emocion që nuk përshkruhet. E ndjeja konkurrencën. Ishte një ndjenjë vigjilence, sepse kishte shumë talente. Nuk e prisja që do të shkoja deri në finale.
Familja, veçanërisht mami, është mbështetësja ime më e madhe. Në fillim hezitova të merrja pjesë, sepse kisha frikë. Kisha frikë nëse do të ecja përpara. E dija që do të kishte konkurrencë të fortë. Por, me kalimin e kohës, e kuptova që me punë mund t’ia dilja.
Natën e dytë pata një këngë me shumë emocione, ndërsa në natën e parë ishte një hit. Në gjysmëfinale, provat i mora shumë më seriozisht, sepse e dija që varej nëse do të shkoja në finale apo jo. Edhe nëse kënga është e thjeshtë, gjithmonë përgatitem me përkushtim, sepse kështu duhet. Muzikën e shoh si karrierë, dua ta vazhdoj.
Ky prodhim i Vizion Plus, tashmë i kthyer në një ngjarje të rëndësishme për familjet shqiptare, do të vijojë të mbajë edhe për pak javë të gjithë bashkëkombasit para ekranit çdo të hënë në orën 21:00.