Deputetja e Partisë Socialiste, Elona Gjebrea akuzoi opozitën jashtëparlamentare se me kërkesën e saj për t’ju drejtuar OSBE-ODIHR për listat dhe koalicionet po pengon punën e Këshillit Politik. E ftuar në edicionin e lajmeve në “Vizion Plus”, ajo tha se kërkesa e PD-LSI nuk qëndron përsa kohë që ata nuk kanë paraqitur një produkt.

 

“Ka disa afate që ne duhet të zbatojmë sepse data e zgjedhjeve është shpallur nga presidenti. Opozita nuk ka një produkt, për çfarë kërkojnë ata që një ekspertizë nga OSBE-ODIHR kur nuk kanë një produkt. Për çfarë do të shkojmë atje, kur vetë OSBE-ODIHR nuk ndërhyn në ndryshimet kushtetuese. Ne nuk jemi kundër, por nuk ka asnjë produkt. Ata duan të krijojnë një ngërç dhe të bllokohet ky mekanizëm e kjo reformë kaq e rëndësishme.”

 

Sa i takon propozimit të socialistëve për hapjen e listave, Gjebrea sqaroi sesi do të funksionojë kjo skemë dhe sesi kanë të drejtë qytetarët të votojnë kandidatin që duan.

 

“Sikurse u tha edhe nga zoti Balla, tashmë kandidatët u nënshtrohen votimit nga zgjedhësit, pëlqimit nga zgjedhësit, pavarësisht nga lista që propozohet nga kryetari. Nëse një kandidat merr më shumë vota apo numrin që i duhet për tu futur, atëherë kjo renditje ndryshon. Është votuesi që ka të drejtë ta ndryshojë dhe të ketë një kandidat preferencial që më pas vlerësohet nga Kolegji Zjedhor në varësi të votave që merr. Nëse ai merr numrin e votave që tek ne është rreth 10 mijë vota përsa i përket mandatit të një deputeti, ai do të ndryshojë renditjen dhe personi që është në listën e mbyllur më i favorizuar, do të zbresë apo do të zëvendësohet me kandidatin që ka marrë votat. Kuota gjinore ruhet, ky është shqetësimi që ne kemi patur. Me këtë formulë, zëvendësimi i një gruaje me një grua, ruhet kuota gjinore.”

 

Këshilli Politik është në ngërç. Anëtari socialist, Damian Gjiknuri ka deklaruar se mbledhja e radhës do të mbahet vetëm kur opozita të ketë gati propozimet e saj për ndryshimet në Kodin Zgjedhor.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *