Subscribe

Një 35 vjeçar nga fshati Pulaj i Velipojës u ekzekutua me tre plumba në kokë mëngjesin e kësaj të diele.

 

Ngjarja e rëndë ndodhi te varrezat e qytetit të Shkodrës në Stom Golem ku Angjelin Shkambi u qëllua brenda automjetit të tij tip Benz. Fare pranë vendit të ngjarjes ndodhet dhe një dyqan lulesh por askush nuk kishe dëgjuar të shtëna ndërsa hetuesit mendojnë se ekzekutimi ka ndodhur orët e para të mëngjesit.

 

Tre gëzhoja pistolete gjeti policia brenda makinës së Shkambit dhe kjo ka shtuar dyshimet se autori mund të ketë qenë në të njëjtin automjet së bashku me viktimën por nuk përjashtohet dhe pista e pritës.

 

Angjelin Shkambi nuk është një emër i panjohur për policinë. Në shkurt të këtij viti ai u arrestua së bashku me një grup prej 13 personash si kultivues të rreth 3 mijë rrënjëve kanabis. Për të shkalla e parë kishte caktuar masën e sigurisë arrest me burg ndërsa Gjykata e Apelit e kishte lënë në arrest shtëpie.

 

Thyerja e masës së sigurimit i kushtoi jetën të riut ndërsa për kapjen e autorëve policia ka ngritur disa pika kontrolli ku janë angazhuar dhe forcat e ndërhyrjes së shpejtë.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *