Sekretari i Shëndetësisë në Britaninë e Madhe, Matt Hancock u shpreh shumë i shqetësuar për një gjendje të re që është parë tek fëmijët kohët e fundit.

Ekspertët e shëndetësisë dyshojnë se kjo lidhet me koronavirusin. Duke folur në një konferencë në “Downing Street”, Matt Hancock adresoi shqetësimet e disa mjekëve që japin një alarm për rritjen e një “sindromi inflamator” javët e fundit.  

Mjeku Chris Whitty tha se gjendja është shumë e rrallë, por shtoi se është plotësisht e mundur që të jetë shkaktuar nga ky virus.

Profesori Stephen Powis tha se është kërkuar nga ekspertët kryesorë që të mbajnë nën vëzhgim situatën.

“Vetëm gjatë ditëve të fundit kemi parë këto raporte. Ne kemi kërkuar që ekspertët ta shqyrtojnë këtë si një çështje urgjente dhe unë e di se Sekretari i Shtetit është i shqetësuar.”

Fëmijët janë ankuar për dhimbje barku, të vjella dhe diarre dhe ekspertët dyshojnë se kjo lidhet me virusin Koronë.

Mjeku Whitty tha se numri i rasteve është shumë i vogël, por kërkoi hetime të mëtejshme. Rastet kanë filluar të shfaqen gjatë tri javëve të fundit. Në disa raste fëmijët kanë rezultuar pozitivë për koronavirusin, por është e paqartë nëse ka patur teste për të gjithë.

“Gjatë tri javëve të fundit, ka pasur një rritje të dukshme të numrit të fëmijëve të të gjitha moshave që paraqesin një gjendje inflamatore që kërkon kujdes intensiv në të gjithë Londrën dhe gjithashtu në rajone të tjera të Mbretërisë së Bashkuar”, thonë ekspertët.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *