Prodhimi ekonomik në Gjermani ra në mënyrë dramatike në tremujorin e dytë. Prodhimi Kombëtar Bruto (PKB) ra me 10.1 përqind në krahasim me tremujorin e kaluar, informon Zyra Federale e Statistikave.

Ekonomia gjermane po përjeton një rënie dramatike për shkak të pandemisë së Coronas. Prodhimi kombëtar bruto ra 10.1 përqind nga prilli në qershor. Këtë e konstatoi Zyra Federale e Statistikave. Në këtë mënyrë, rënia e prodhimit ekonomik ishte edhe më e theksuar se në krizën financiare në vitin 2008-2009.

Kjo ishte rënia më e fortë që prej nises së përllogaritjeve tremujore të PKB-së në vitin 1970. Prodhimi ekonomik kishte rënë ndjeshëm që në fillim të vitit. Ekonomia më e madhe e Evropës ndodhet në një recesion të thellë.

Rënie e thellë

Sipas autoriteteve të Zyrës Federale të Statistikave, eksportet dhe importet e mallrave dhe shërbimeve ranë ndjeshëm në tremujorin e dytë, njësoj si edhe shpenzimet private të konsumit dhe investimet e sipërmarrjeve në pajisje të tilla si makineritë. Megjithatë, gjatë krizës shteti i rriti shpenzimet e tij të konsumit.

Sipas Dhomës Gjermane të Tregtisë dhe Industrisë, shifra tregon se sa keq ndikoi kriza e Corona-s në ekonominë gjermane. Ende është një rrugë e gjatë për t’u bërë, tha Drejtori Menaxhues Kryesor i DIHK Wansleben.

Sipas një sondazhi të Dhomës, gjysma e kompanive presin një kthim në normalitet jo më herët se fillimi i vitit të ardhshëm. Qendra për Kërkime Ekonomike Evropiane i bëri thirrje politikës gjermane të përshpejtojë ndryshimin strukturor drejt ekonomisë digjitale.

“Recesioni i shekullit zyrtarisht”

Për shumë ekspertë, shifrat nuk vijnë pa pritur. Ata e kishin parashikuar këtë zhvillim. Uwe Burkert nga Banka e Landit Baden-Württemberg, për shembull, i tha Reuters-it: “Ky ishte rezultati i keq i pritshëm dhe – shpresojmë – një rekord minus për përjetësinë. Edhe në rastin më të mirë, d.m.th., pa një mbyllje të re, do të zgjasë disa tremujojë derisa të kompensojmë këtë humbje të performancës ekonomike “.

“Tani është zyrtare: recesioni i shekullit,” thotë Andreas Scheuerle nga Dekabank. “Atë që deri tani nuk e arritën as recesionet në tregun e aksioneve ose tronditjet e çmimit të naftës e arriti një krijesë e vogël prej 160 nanometra, e quajtur Corona. Izolimi i urdhëruar nga shteti dhe i vetëzgjedhur arriti ta mposhtë këtë virus. Tani fatura është në tryezë.”

Shpresa për paketën konjukturore

Shumë ekonomistë besojnë se ekonomia do të rritet në gjysmën e dytë të vitit, me kusht që numri i infektimeve të mos rritet përsëri. Kufizimet e vendosura në ekonomi dhe shoqëri për shkak të virusit janë lehtësuar gjithnjë e më shumë që nga maji. Sipas Institutit Gjerman për Kërkime Ekonomike (DIW), sinjalet janë “qartë për shlodhje ekonomike”. Por me siguri do të duhen dy vjet para se të kompensohet rënia historike e pranverës.

Sipas Deutsche Bundesbank, pika e ulët e aktivitetit ekonomik duhet të jetë arritur që në prill. Rimëkëmbja ekonomike ka të ngjarë të vazhdojë në gjysmën e dytë të vitit. “Paketa më e fundit e stimulimit ekonomik gjithashtu do të kontribuojë për këtë,” shkruajnë ekspertët në raportin e fundit mujor.

Qeveria Federale ka ngritur një paketë stimuluese në shumën 130 miliardë euro për vitet 2020 dhe 2021.Megjithë shlodhjen e pritur për vitin në tërësi, Qeveria Federale parashikon recesionin më të thellë që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore. Ajo priste së fundi një rënie të Produktit Kombëtar Bruto prej 6.3 përqind. Parashikimet e tjera janë po aq të zymta. Në krizën globale ekonomike dhe financiare të vitit 2009, PKB ra me 5.7 për qind./ DW

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *