Ka shkuar në të paktën 305 numri i viktimave në masakrën e së premtes në Egjipt. Prokurori i shtetit të Egjiptit në një deklaratë për mediat, njoftoi se në mesin e viktimave janë 27 fëmijë.

 

Sipas tij, një grup prej 30 personash të armatosur hynë në xhaminë Al-Raudah Sufi dhe sulmuan besimtarët myslimanë gjatë faljes së të premtes.

 

Të mbijetuarit e masakrës kanë dhënë dëshmitë e tyre për zbardhjen e plotë të ngjarjes, por deri më tani e vetmja gjë që dihet është se sulmuesit kishin mjekra dhe flokë të gjatë, ishin të veshur me rroba ushtarake dhe mbanin armë të rënda dhe maska të zeza.

 

Njëri prej sulmuesve të cilët hynë brenda xhamisë mbante flamurin e shtetit të vetëshpallur islamik, ISIS.

 

Megjithatë, asnjë grup nuk e ka marrë ende përgjegjësinë për sulmin, por militantë që kanë lidhje me ISIS, kanë qenë përgjegjës për një sërë sulmesh që kanë goditur gadishullin vitet e fundit.

 

Presidenti i Egjiptit Abdul Fattah Al-Sisi është zotuar se do ti përgjigjet me forcën më të madhe sulmit terrorist. Ndërsa qeveritë në Britani të Madhe, SHBA, Francë, Rusi, Izrael, Iran, Arabinë Saudite dhe vende të tjera kanë dënuar masakrën. Presidenti i SHBA në një postim në twitter, shkruan se shumë shpejt do të takojë presidentin e Egjiptit për të diskutuar mbi sulmin.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *