Me moton,”Të bashkuar për Lezhën”, Eduart Ndocaj mbledh strukturat e partisë dhe “ndez” motorët e fushates.

Në ambientet e selisë së tij, Eduart Ndocaj përmes një takimi me strukturat e Aleancës Demokristiane të Lezhës, subjekt me të cilin ai garon për zgjedhjet e 30 qershorit, duke synuar fort fitoren e tij kryetar i kësaj bashkie, ka bërë me dije pjesëmarrësit, se është momenti historik për ta shkëputur Lezhën nga politikat dhe praktikat e një administrimi të mbrapshtë 29 vjecar në kurriz të qytetarëve nga të gjitha partitë që kanë drejtuar këtë bashki.

I konceptuar si takim mobilizues me strukturat në kuadër të zgjedhjeve, Ndocaj, shpalosi para të pranishmëve programin e tij, për të cilin ai ka punuar shumë kohë dhe e ka hartuar i asistuar nga ekspertizë ndërkombëtare.

Në fjalën e tij, Ndocaj, u ndal gjatë në nevojën e madhe që ka Lezha për një vizion ndryshe, duke shfrytëzuar resurset dhe potencialet e shumta të kësaj bashkie në dobi të një realiteti të ri ekonomik dhe zhvillimor.

Ai vuri theksin tek keqmenaxhimi ndër vite i këtij territori, duke bërë që Lezha, pavarësisht dinamikës ndërtimore, të zhytet në një varfëri të paimagjinueshme dhe të prodhojë një papunësi në rritje.

Kryetari i Aleancës Demokristiane të Shqipërisë, Zef Bushati, i pranishëm në këtë takim, pasi përshëndeti pjesëmarrësit, bëri një panoramë të shkurtër të situatës aktuale politike, të cilën e konsideroi të paprecedentë dhe të rrezikshme për ecurinë e reformave që kërkohen si përmbushje detyrimesh për integrimin e vendit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *