Kryeministri Edi Rama deklaroi se vihet re në terren se njerëzit janë lëshuar në rrugë dhe nuk po i zbatojnë më me rigorozitet masat kundër COVID-19.

Gjatë një fjale për mediat pas mbledhjes së seancës plenare, Rama tha se për këtë arsye duhet që paralelisht me hapjen graduale të vendit, të shtrëngohen edhe më shumë masat.

“Ajo që kemi vënë re në 10 ditët e fundit, një shqetësim i ardhur edhe nga drejtuesit e policisë në përgjithësi është një lloj relaksimi dhe një lloj lëshimi që nuk mund të kthehet në fenomen sepse është shumë i rrezishëm. Ne kemi rezultate të shkëlqyera në luftën e frontit për sa i përket shëndetit, shëndetësisë, të prekurit që shkojnë në spital. Pavarësisht se kemi humbje jetësh dhe çdo jetë është shumë e çmuar, por përsëri në tërësi kjo situatë kam përshtypjen se lexohet gabimisht nga shumë njerëz që kujtojnë se iku kjo punë. Për këtë arsye na duhet të garantojmë hapjen, të mbrojmë jetët dhe të lehtësojmë një proces që ka ndikuar jo pak në ekonominë familjare dhe kombëtare.”

Numri një i qeverisë pranoi se në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të mbajtur të mërkurën pati edhe debate, por sipas tij, produkti final ishte i harmonizuar.  

“Kemi patur një takim të gjatë dhe të dobishëm të Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe jemi harmonizuar përmes ekspertëve të Parlamentit dhe të zyrës juridike të Presidentit dhe me grupet e tjera parlamentare është arritur në një përfundim që adreson edhe shqetësime të shprehura nga faktorë të tjerë. Po të mos kishte debate, pse u bë mbledhja se nuk u mblodhëm aty për tu parë në sy dhe për të buzëqeshur pa folur me njëri-tjetrin. U mblodhëm për të folur, dsikutuar. Nuk është e rëndësishme sesa shumë biem dakord, por cilësia e debatit.”

Gjatë seancës plenare, Rama tha se Shqipëria po fiton betejën me COVID-19 dhe se tani prioritet mbetet ringritja e ekonomisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *