Subscribe

Gjykata e Krimeve të Rënda la ne burg Kujtim Mirin, kushëririn e gjyqtarit të apelit Shkëlqim Miri, të akuzuar për korrupsion.

 

Ai u ndalua si sekseri që merrte para për llogari të gjyqtarit dhe për ndikim në një vendim gjyqësor.

 

Gjatë seancës, organi i akuzës paraqiti prova filmike të një lokali në Fushë Krujë, ku duket sekseri i cili merr një zarf me 20 mijë euro nga një i afërm i Gentian Dodës.

 

Alban Buci dhe të afërm të Dodës shkojnë në një lokal në Fushë Krujë, në pronësi të kushëririt të gjykatësit Kujtim Miri. Në pamjet e kamerave të sigurisë – thuhet në dosje – shfaqen Buci dhe të afërmit e Dodes, të cilët bëjnë dhe dorëzimin e zarfit në duart e Kujtim Mirit.

 

Pas shfrytëzimit të të gjitha hallkave të sistemit gjyqësor, Prokuroria i kërkoi Drejtorisë së Burgjeve të ushtrojë kontroll në qelinë e Gentian Dodës ku u gjetën dy celularë. Nëpërmjet tyre ai i kërkonte të afërmve t’i jepnin sekserit shumen prej 20 mije eurosh.

 

Paralel me këtë veprim, Prokuroria ndaloi Alban Bucin për verifikim dhe arriti t’i kontrollojë celularin dhe të sigurojë mesazhet komprometuese për dorëzimin e parave dhe marrjen e garancive se vendimi i gjykatës së Burrelit nuk do ndryshonte.

 

Mes provave të tjera që iu paraqiten Gjykatës për Krime të Rënda mësohet se ishin dhe tabulatet telefonike të gjyqtarit, i cili ka komunikuar me të afërmin e tij Kujtim Miri për shumën prej 20 mijë eurosh të marra nga të afërmit e Dodës.

 

Shkëlqim Miri akuzohet se la të pandryshuar vendimin e gjykatës së Burrelit me 8 vite heqje lirie për Gentian Doden i akuzuar për plagosje të rende me dashje me pasoje vdekjen.

 

Gjatë kontrollit në banesë, policia i gjeti Shkëlqim Mirit një shumë të konsiderueshme parash, ne total rreth 34 milion leke. Para gjykatës, prokurori i çështjes tha se hetimet do të vijojnë dhe do të ketë të tjerë persona të proceduar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *