Subscribe

Partia Demokratike i kërkon Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të shtyje deri në dhjetë ditë vendimmarrjen për përcaktimin e mandateve në secilin qark për zgjedhjet e përgjithshme të 25 Prillit.

 

Në kërkesën drejtuar KQZ-së, selia blu kërkon të hetohet se mbi çfarë baze janë bërë përllogaritjet për ndarjen e mandateve, për aq kohë sa ajo kryhet mbi numrin e popullsisë dhe jo të zgjedhësve.

 

Hetimi nga Partia Demokratike kërkohet pas shqetësimit të bërë publik se adresa e shumë qytetarëve në zona të ndryshme zgjedhore, me dijeninë apo pa dijeninë e tyre rezulton se nuk përputhet me vendbanimin e tyre.

 

Për këtë arsye PD do të dijë, nëse përllogaritja e mandateve është bërë mbi bazën e adresave të reja apo mbi kodin dhjetëshifror, që përbën zonën zgjedhore.

Paralelisht me kërkesën e opozitës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i është drejtuar Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile me dhjetë pyetje, ku reflektohen edhe shqetësimet e Partisë Demokratike.

 

Drejtuesit Bledar Doracaj i kërkohet veçanërisht të dokumentojë se kur është nxjerrë numri i saktë i popullsisë, mbi cilin kriter është përcaktuar popullsia për secilin qark dhe si pasojë e këtyre të dhënave ekziston mundësia që për efekt zgjedhjesh një qytetar të jetë banor i një qarku tjetër ndërkohë që votën e hedh në një tjetër zonë elektorale.

 

Pas prezantimit të draftit për shpërndarjen e mandateve i cili ndryshon hartën elektorale, me dy më shumë për Tiranën, nga 34 në 36 dhe një më pak për Dibrën dhe Gjirokastrën, KQZ do të dijë edhe lëvizjen e popullsisë nga Shtatori deri në Nëntor për këto të fundit.

 

Deri në një përgjigjeje të Gjendjes së Përgjithshme Civile për përllogaritjen e mandateve sipas numrit të popullsisë dhe sesi kjo e fundit është deklaruar për secilin qark, duket se Komisioni Rregullator nuk do të bëj asnjë vendimmarrje për shpërndarjen e mandateve për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *