Subscribe

Rikthehet paniku në kryeqytetin francez, Paris. Një polic ka gjetur vdekjen dhe një tjetër është plagosur rëndë në një sulm me armë të ndodhur rreth orës 21.00 në bulevardin e famshëm “Champs Elysees”.

 

Sipas informacioneve, dy persona kanë hapur zjarr me kallashnikov ndaj patrullës së agjentëve, që janë kundërpërgjigjur. Njëri prej sulmuesve ka mbetur i vrarë, ndërsa i dyti është shpallur në kërkim. Ngjarja ka ndodhur pranë një dyqani në një zonë të populluar edhe nga turistë. Forcat e policisë rrethuan vendin e ngjarjes dhe këshilluan banorët të shmangin lëvizjet. Disa helikopterë patrulluan gjithashtu zonën. U bllokua edhe hyrja e metrosë pranë Harkut të Triumfit.

 

Ende nuk dihen motivet e kësaj ngjarjeje. Sipas policisë ka dyshime për një sulm terrorist, por nuk përjashtohet as mundësia e një tentative për grabitje me armë.

 

Kjo ngjarje ndodh ndërsa këtë të diel francezët do të votojnë për të zgjedhur presidentin e ri të vendit dhe kandidatët presidencialë zhvillonin debatin e fundit televiziv.

 

Franca ndodhet në gjendje të jashtëzakonshme që prej vitit 2015 pas disa sulmeve terroriste. Vetëm dy ditë më parë policia arrestoi në Marsejë dy persona me dyshimin se kishin planifikuar të kryenin sulme terroriste në prag të zgjedhjeve presidenciale, dhe u sekuestruan arme, municione, 3 kg eksploziv dhe një flamur i Shtetit Islamik.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *