Subscribe

Në një kohë që Bullgaria ndodhet nën presion nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara për zbardhjen e vrasjes brutale të gazetares investigative Viktoria Marinova, policia ka vënë në pranga 2 të dyshuar.

 

Të martën u arrestua një shtetas rumun me pasaportë moldave, identiteti i të cilit nuk është bërë i ditur, por ai është lënë i lirë pas marrjes në pyetje. Ndërsa këtë të mërkurë, autoritetet gjermane kanë vënë në pranga të dyshuarin e dytë, me kërkesë të policisë bullgare.

 

Ministri i Brendshëm Mlladen Marinov tha për mediat se ata kanë prova të mjaftueshme që lidhin këtë person me skenën e krimit. I arrestuari është identifikuar me emrin Severin Kasimirov, 21 vjeç.

 

Mlladen Marinov: “Në këtë fazë, ne nuk besojmë se vrasja është e lidhur me punën e Marinovës. Por ne po vazhdojmë deri në zbardhjen e plotë të ngjarjes. provat që kemi në këtë fazë na bëjnë të besojmë se ka qenë një sulm spontan abuzimi seksual i viktimës”.

 

Edhe kryeprokurori i vendit, Sotir Tsatsarov, tha për mediat se nuk beson se vrasja ka ndodhur për shkak të profesionit të gazetares.

 

Trupi i pajetë gazetares 30-vjeçare Marinova u gjet pak ditë më parë në një park në qytetin verior Ruse. Sulmi ka tronditur jo vetëm vendin, por edhe ndërkombëtaret, për shkak se gazetarja kishte publikuar së fundmi një hetim që lidhej me abuzimin e fondeve të Bashkimit Europian.

 

Marinova është gazetarja e tretë që vritet në Europë në 12 muajt e fundit, pas Jan Kuciak në Sllovaki në muajin shkurt dhe Dafne Caruana Galizia në Maltë në tetor 2017.

Posted Under:

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *