Strategjia për hetimin e krimeve zgjedhore është thuajse gati. Kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani e konfirmoi këtë lajm në rendin e takimeve periodike me gazetarët të thirrur nga vetë ai.
“Kam deklaruar që do të publikoj strategjinë e hetimit të krimeve zgjedhore, strategjia thuajse ka përfunduar, shpresojmë që në fund të janarit të bëhet publike, por pritet miratimi. Po ashtu është menduar edhe një plan veprimi dhe një urdhër, por për momentin nuk mund ta bëj publik urdhrin. Ne nuk kushtëzohemi nga fushata zgjedhore, ne ligji na detyron sa herë të vihemi në kontakt me shkelje të ligjit”, tha Dumni.
Sa i takon dy çështjeve të nxehta, dosjeve “Toyota Yaris” dhe “Xibraka” Dumani tha se hetimet për të parën vijojnë, ndërsa për të dytën janë pezulluar. Për Xibrakën pezullimi do vazhdojë deri në gjetje të reja, e nëse kjo nuk ndodh atëherë dosja do të parashkruhet.
“Kur provojmë që dikush ka përdorur SKY ECC për ne është shumë e thjeshtë, por kur flitet për palë të treta ne bëjmë një punë shumë të madhe pasi na duhet që të gjejmë prova për ato që thuhen. Të gjithë janë trajtuar njëlloj çdo person është duke u hetuar. Ne e kemi dhënë përgjigjen zyrtare, është hetuar përfshirja e mundshme e Olsi Ramës pas informacioneve të Deputetit Gazmend Bardhi, pas hetimeve prokurori ka vendosur pezullimin e çështjes pasi nuk janë identifikuar persona të përfshirë”, tha Dumani.
Lidhur me vendimin e Apelit të GJKKO-së që nxorri nga izolimi Sali Berishën, duke marrë parasysh edhe faktin që jemi në fushatë zgjedhore, Dumani tha se e respekton.
E nëse i njëjti argument përdoret nga gjykata për të liruar nga qelia, liderin tjetër të opozitës, Ilir Meta, Dumani përgjigjet: Nuk kemi ndjeshmëri. Respektojmë vendimin e gjykatave. Jemi zbatues të ligjit. Kur nuk kënaqemi, ushtrojmë të drejtën e ankimimit. Për Ilir Metën, hetimi po vijon. Kërkesat e SPAK janë gjetur të drejta nga shkallët e gjyqësorit dhe Kushtetuesja i dha fundit të gjithave.
Sa i takon aplikacionit të koduar Matrix, që tashmë u thye nga autoritetet e huaja, e që gjuha shqipe rezulton gjithashtu e përdorur, Altin Dumani tha nuk mund të ndajë të dhëna, por konfirmoi se institucioni i drejtuar prej tij, është në bashkëpunim me agjencitë e huaja ligjzbatuese./vizionplus.tv