Ishte kancelari gjerman, Olaf Scholz, ai që së pari kritikoi në Twitter sipërmarrjet që po bëjnë fitime kolosale. “Kjo nuk është ok”, shkruajti Olaf Scholz në fillim të korrikut.
Nga “kjo nuk është ok” ndërkohë është ngritur kërkesa për një tatim shtesë mbi fitimet e larta të supermarrjjeve në këto kohë krize. Kërkesa nuk u formulua nga kancelari gjerman, Scholz, por nga kryetarja e partisë demokrate, Saskia Esken dhe bashkëkryetarja e Të Gjelbërve, Ricarda Lang.
Kritika sipërmarrjeve nga Banka Qendrore Europiane
Po e përdorin sipërmarrjet inflacionin e lartë për të rritur më tej çmimet dhe për të arritur fitimeprurje edhe më të majme? Në SHBA ky debat ka shpërthyer më parë mes studiuesve të ekonomisë, që kanë zbuluar ndërkohë nocionin “lakmiflacion” -pra lakmi dhe inflacion, që do të thotë një inflacion që nxitet më tej nga lakmia e sipërmarrjeve për fitime. Drejtoresha e BQE, Bankës Qendrore Europiane, Isabel Schnabel në një fjalim të fundit është shprehur se “thënë në mënyrë provokuese: shumë firma në eurozonë edhe nëse pa dyshim jo të gjitha, kanë përfituar nga rritja e fundit e inflacionit.” Kjo deklaratë u interpretua si kritikë ndaj sipërmarrjeve. BQE e pyetur për këtë deklaroi, se nuk është pjesë e punës së Bankës Qendrore Europiane të kritikojë ekonominë private.
Pra jo lakmi, por pasojë e inflacionit? Disa ekonomistë kujtojnë, se në një ekonomi tregu nuk mund të përcaktohet si lakmi maksimizimi i fitimit nga sipërmarrjet. Disa ekspertë në SHBA shohin edhe pasojat e Coronës si faktor për “lakmiflacionin” – teza e tyre: njerëzit kishin nevojë pas pandemisë për blerje, prandaj çmimet u rritën pjesërisht në mënyrë të ekzagjeruar, si në gastronomi.
Në një dritë tjetër shihen fitimet kolosale të koncerneve të karburanteve, që kanë arritur fitime të mëdha pas luftës në Ukrainë. Por edhe këtu vëzhguesit e ekonomisë presin që fitimet të jenë vetëm të përkohshme, dhe se tregu do të rregullojë çmimet.
Nëse firmat i ngrenë në mënyrë aktive çmimet kjo varet nga ajo, se sa fuqi kanë ato në treg. Monopolistët për shembull mund të diktojnë çmimet, në një kohë që rritja e çmimeve në një treg të kufizuar është po ashtu e kufizuar. I këtij mendimi është prof. Volker Wieland për ekonominë monetare nga Universiteti Goethe në Frankfurt. “Ka nevojë për një rregull konkurrence, për të penguar fuqinë e tepruar të tregut. Eksperti nuk e merr në konsideratë nocionin “lakmiflacion”.
Nuk është turp që një sipërmarrje e rrit çmimin për produktin e saj. “Konkurrenca është ajo pastaj që bën që çmimet dhe fitimi të bien”. Prof. Wieland e sheh me skepticizëm konceptin e një tatimi shtesë për superfitimet. “Cili fitim është tepër i madh?” Sido që të jetë në Gjermani fitimet e larta tatohen shumë, sipas tij.
Edhe Thomas Obst nga Instituti i Ekonomisë Gjermane ka të njëjtin qëndrim për debatin mbi fitimprurjet e mëdha. Politika duhet të veprojë që të mënjanohen strukturat oligopole. Tatimi shtesë ndaj fitimit është instrument i gabuar sipas tij dhe përtej kësaj “i vështirë për t’u realizuar nga ana e së drejtës kushtetuese.” Kushtetuta gjermane parashikon rregulla të forta për këtë, ndryshe nga vendet e tjera. “Lakmiflacioni” nuk është fenomen për ekspertin Obst, por akuzë. Ai pret në muajt e ardhshëm rënien e inflacionit dhe e lidh këtë me rënien e kërkesës. Në lidhje me debatin për tatimin shtesë, Obst thotë. “Në vend të ndezjes së debateve për shpërndarje të re, duhet të mendojmë, se si të veprojmë së bashku kundër shokut të inlfacionit.”/dw