Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja një ditë më parë në ambientet e Gjykatës së Apelit tronditi sistemin e drejtësisë dhe shoqërinë shqiptare. Ngjarja e rëndë ka sjellë reagime të shumta.
Avokatja Enida Bozheku, e ftuar në studion e “Quo Vadis” në Vizion Plus, nën moderimin e Pranvera Borakajt, tha se kjo ngjarje tregon se reforma në drejtësi ka prodhuar zhgënjim të thellë dhe pasoja të rënda për shoqërinë.
Ajo gjithashtu komentoi edhe reagimin e autorit të krimit, Elvis Shkambi, i cili pas ngjarjes së rëndë qëndronte me duar në xhepa në ambientet e Gjykatës dhe i kërkoi policëve ta arrestonin.
Bozheku: Në këtë trumbetimin e drejtësisë, apo gjueti shtrigash të drejtësisë së re, kuptohet që populli, ajo pjesa pas kuintave apo protagonist në kuinta është i ndikuar. Shpresa që iu dha, se drejtësia e re do të zgjidhte hallet e vjetra, ishte kaq e madhe sa individët, shqiptari është dhe i ndjeshëm në këto gjëra sepse ka një kalvar vuajtjesh shumë të gjatë dhe besoi se realisht besoi se zbriti Jezu Krishti në tokë dhe drejtësi për të tërë. Por u bë më keq.
Kur bën një reformë të tillë duhet të merrje parasysh se sa do të hiqeshin nga ky sistem. Gjyqësorit, i ikte një gjyqtar, i ikte një prokuror, vend bosh kalo te tjeri. Kjo sjell akumulim të dosjeve. Kjo sjell pakënaqësi sepse drejtësia po vonon. Ai individ, ishte i paramenduar në gjithçka të tij. Duart në xhepa tregojnë një individ që jo vetëm s’ka asnjë pishman, por kishte elementin heroik brenda vetes. Kjo më tmerroi. “Unë e bëra”. Dhe tha “Ja ku jam” me duart në xhepa dhe tha “Madhështia ime qëndron në veprimin që bëra”./vizionplus.tv





