Imazhi i ndihmave humanitare, mijëra ushqime të gatshme, të hedhura nga C-130 të SHBA në Rripin e Gazës e vendos konfliktin e luftës në një fazë tjetër.

Ndërsa i afrohemi muajit të shenjtë mysliman të Ramazanit, i cili fillon pas pak ditësh, dritarja e kohës për një sulm tokësor izraelit në pjesën jugore të enklavës po bëhet gjithnjë e më e ngushtë.

Por në të njëjtën kohë, diplomacia është disa hapa më afër një pauze që mund të sjellë lirimin e 130 pengjeve që mbeten në duart e Hamasit.

Edhe presidenti Biden po thekson se duhet të ketë një marrëveshje armëpushimi përpara Ramazanit.

Të shtunën, një zyrtar amerikan lidhi në mënyrë eksplicite ndihmën humanitare në shkallë të gjerë me armëpushimin dhe me të lirimin e pengjeve.

Ai tha se izraelitët “i pranuan kushtet”, kështu që, nëse Hamasi bie dakord, “një armëpushim gjashtëjavor mund të fillojë menjëherë .”

Marrëveshja është “në tryezë”, tha ai, duke shprehur shpresën për një marrëveshje përpara Ramazanit.

“Izraelitët pak a shumë e kanë pranuar atë. Një armëpushim gjashtë-javor mund të fillojë sot në Gaza nëse Hamasi pranon të lirojë një kategori shumë specifike pengjesh të pambrojtur”, shtoi zyrtari amerikan, duke sqaruar se për momentin “bisedimet po vazhdojnë”.

Një delegacion i Hamasit do të shkojë në Kajro ku të dielën rifillojnë negociatat për armëpushimin.

Katari, Shtetet e Bashkuara dhe Egjipti po përpiqen të arrijnë një marrëveshje midis Hamasit dhe Izraelit që kërkon një armëpushim gjashtë-javor të kombinuar me lirimin e pengjeve në këmbim të lirimit të palestinezëve të mbajtur nga Izraeli.

Në fillim të kësaj jave, një burim pranë Hamasit tha se po ofronte lirimin e një pengu në ditë për 42 ditë në këmbim të 10 palestinezëve të burgosur për çdo peng.

Bien ndihma humanitare nga SHBA

Të shtunën, tre avionë amerikanë, në bashkëpunim me Forcën Ajrore Jordaneze, hodhën rreth 38,000 vakte ushqimore në pjesën jugore të Rripit të Gazës, afër Rafahut.

Ishte rënia e parë nga shumë, siç u premtua të premten nga Joe Biden.

Rënia e ndihmës ishte bërë ditët dhe javët e mëparshme nga Britania, Franca, Egjipti. Organizatat humanitare thonë, megjithatë, se kjo nuk është një mënyrë shumë efektive, Biden nuk e ka përjashtuar mundësinë e një rruge tokësore.

Operacioni i SHBA-së u nxit nga incidenti i së enjtes në të cilin të paktën 112 njerëz u vranë dhe 760 u plagosën gjatë shpërndarjes së ndihmave me kamionë.

Hamasi pretendon se ata u vranë nga zjarri izraelit, por Izraeli e kundërshton.

Në çdo rast, Biden vazhdon të theksojë se duhet të ketë korridore për të marrë ndihmë për njerëzit që kanë nevojë.

OKB thotë se rreth 300,000 njerëz në enklavë, nga 2.3 milionë që jetojnë atje, janë në prag të urisë ose nuk kanë ujë të pastër./vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *