Nuk ka vendim për “Partizanin”, seanca shtyhet për në 5 maj, mbrojtja kërkoi përjashtimin e gjyqtares
Gjashtë muaj nga dorëzimi në Gjykatë, zvarritja për vendimin nëse dosja “Partizani” do t’i nënshtrohet apo jo gjykimit, vazhdon. Edhe këtë të enjte seanca dështoi, pasi mbrojtësit e të pandehurve kërkuan përjashtimin e gjyqtares së çështjes, Flojera Davidhi.
“Dje kërkuam kohë të mjaftueshme për t’u konsultuar me të mbrojturit prej nesh. Unanimisht të gjitha subjektet morëm vendim për të kërkuar përjashtimin e gjyqtares Flojera Davidhi, për njëanshmëri të theksuar në vendimin e saj. Një kaos gjyqësor, i cili pa shpjeguar shkaqet, mori vendim të padrejtë. Sot depozituam në formë të shkruar kërkesën për përjashtim. Seanca u ndërpre se gjyqtarja nuk mund të marrë vendim pa u shprehur një gjyqtar i gatshëm. Seanca u la për datën 5 maj, në orën 11:30”, tha avokati Genc Gjokutaj.
I pyetur nëse këto kërkesa prej 6 muajsh janë artifica ligjore për të shtyrë procesin pas zgjedhjeve, Gjokutaj thotë: Kjo e zgjedhjeve nuk është eklipsi i diellit. Po qe se në 11 maj Kodi do parashikonte që do suprimohej kodi i procedurës penale dhe kodi penal, atëherë do flisnim për një shtyrje. Dhe unë besoj se këta janë shumë konseguent në zbatimin e tij.
Në këtë proces janë marrë të pandehur, Sali Berisha, për kohën kur ka qenë kryeministër, dhëndri i tij, një notere dhe dy biznesmenë. SPAK e akuzon Berishën për korrupsion në favorizimin e dhëndrit të tij për të privatizuar truallin e kompleksit sportiv “Partizani”./vizionplus.tv




