Presidenti i Shteteve të Bashkuara Donald Trump, është betuar se nuk do të ketë asnjë marrëveshje për përfituesit e programit DACA, për legalizimin e statusit të qindra-mijëra emigrantëve pa dokumente, të cilët kanë hyrë në SHBA që në moshë të vogël. Ata mbroheshin nga një program i miratuar nga administrata Obama.

 

Me anë të një serie postimesh në Twitter, Trump bëri thirrje për ligje më të forta për emigracionin.

 

“Gjërat po shkojnë keq. Po vijnë karvanët. Republikanët duhet të miratojnë ligje më të forta. S’ka marrëveshje për DACA-n”, shkruan Trump në profilin e tij në Twitter.

 

Shefi i Shtëpisë së Bardhë akuzoi Meksikën se nuk po bën asgjë për të ndaluar emigrantët që të kalojnë kufirin e saj verior.

 

Programi DACA i miratuar nga administrata Obama, i jepte mundësi miliona të miturve që shkelnin në tokën e ëndrrave në mënyrë të paligjshme, të qëndronin dhe studionin në SHBA. Por Trump, tentoi shfuqizimin e ligjit në muajin mars, duke përmbushur kështu një nga premtimet e tij gjatë fushatës presidenciale të 2016-ës. Por pas protestave të shumta në të gjithë vendin Trump u detyrua t’i japë në shtator të vitit të kaluar një afat 6 mujor kongresit, për të propozuar një plan të përhershëm për programin mbi emigrantët.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *