Kryeministri Edi Rama paralajmëroi se përpara na pret një dimër i vështirë. Për këtë arsye, ai kërkoi nga të gjithë qytetarët që të jenë vigjilentë në zbatimin e masave. Në një bashkëbisedim live në “Instagram” me “Portalin Studentor”, Rama nuk përjashtoi mundësin e shtrëngimit të masave.

 

“Në shumë aspekte mund të themi që e keqja ka kaluar, ndërsa në aspektin e pandemisë mund të themi që jemi duke e kaluar më të keqen. Ky do të jetë një dimër shumë i vështirë nga pikëpamja shëndetësore. Megjithatë jam i bindur që do ta kalojmë  duke dalë jo të dërrmuar, por më të cvcliruar dhe më të fortë. Masat shtrënguese nuk i vendos unë, por Komiteti Teknik i Ekspertëve. Masa më e rëndësishme në të gjitha rastet mbetet se çfarë bën secili si individ sepse në fund të fundit ne jemi transmetuesit e këtij virusi. Deri tani, nëse shohim problemin themelor të kësaj sfide, aftësinë për të përballuar fluksin e njerëzve në nevojë për trajtim në spital, them se jemi në ekuilibër. Nëse shohim fatalitetet, them se jemi në ekuilibër dhe çdo ditë askush akund nuk i di të gjitha, por mësojmë hap pas hapi. Për momentin nuk kemi paraparë masa shtrënguese, por kjo nuk i përjashton ato sepse vendosin hap pas hapi.”

 

I pyetur për mbylljen e universiteteve, kreu i qeverisë tha se në këtë rast është vepruar duke ndjekur modelet e vendeve të tjera. Ai u shpreh se nuk ekziston një datë fikse se kur do të marrë fund kjo situatë.

 

“Kudo është ndjekur e njëjta strategji dhe është rënë dakord për të vepruar kështu. Universitetet janë konsideruar vatra me një koeficient të madh rreziku për transmentimin e virusit, edhe për shkak të numrit. Nga ana tjetër ka edhe një balancë tjetër që duhet vendosur, mes nevojës për t’u mbrojtur dhe për të siguruar mjetet mbrojtëse. Kjo është një luftë që nuk është një sprint, është një maratonë. Shpresoj të jemi drejt fundit të maratonës, nuk kemi bërë ndonjë shpikje, thjesht kemi ndjekur me vëmendje çfarë kanë bërë të tjerët. Është e kotë të bëjmë spekulime se deri kur do të qëndrojë kështu situata. Vendet ndjekin afate me hamendje dhe me shpresën dhe qëllimin që gjërat do të ndryshojnë në një kohë të caktuar.”

 

Edi Rama theksoi se vëmendja është e fokusuar edhe tek sigurimi i vaksinës. Ai deklaroi se Shqipëria po përpiqet që vaksinën ta sigurojë bashkë me vendet e tjera.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *