Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha vizitoi këtë të martë naftëtarët që janë futur në grevë për pagat e tyre. Gjatë takimit, Basha shprehu keqardhjen e tij për situatën në të cilën ndodhen naftëtarët, ndërsa nuk la pa akuzuar qeverinë.

 

“Më vjen keq që ndodheni në këtë situatë.  Qeveria vazhdon të gënjejë. Për herë të dytë gjendem në këtë gjendje të rëndë. Edhe atëherë e njëjta situatë, premtime që nuk mbahen. Shqipëria e di se Ballshi e Bulqiza janë më të pasurat dhe janë të varfër. Me këto pasuri pasurohet një grusht njerëzish, e naftëtarët e minatorët janë më të shtypurit në vend. Këtë realitet e kam shumë parasysh. E gjitha është produkt i një serie aferash korruptive. Zgjidhjen do e marrë përsipër shteti. Vendim-marrja për disa muaj është e dikujt tjetër. Zgjidhja do të vijë pas 25 prilli.”

 

Lideri i demokratëve premtoi se deklaratat e tij nuk do të mbeten fjalë boshe, por do të bëhen realitet kur të vijë në pushtet.

 

“Unë fjalën kam sot, ndërsa kur të fitojmë, do të bëjmë realitet ato që po premtoj.”

Këtë të martë u shënua dita e nëntë e grevës së urisë së naftëtarëve. Pavarësisht problemeve të shumta shëndetësore, ata janë të vendosur për të kërkuar të drejtën deri në fund.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *