Grupi i rrezikshëm i fajdexhinjve të Shkodrës me 12 të arrestuar dhe 3 të tjerë të shpallur në kërkim, është zbuluar pas denoncimit të bërë nga ish-prefekti i qarkut të Shkodrës Paulin Radovani.

 

Ish-prefekti kishte informacione në lidhje me këtë bandë për shkak se dy djemtë e tij kishin marrë  marrë herë pas here shuma të konsiderueshme parash nga persona të ndryshëm në qytet, të cilët ia kishin dhënë me interesa të larta.

 

Paulin Radovani ishte një biznesmen i njohur në Shkodër, sipërmarrës në fushën e fasonerisë. Në gjithë këto vite erdhi duke përforcuar biznesin e tij derisa prej 2-3 vitesh nisi një histori e paparashikuar. Dy djemtë e tij, një prej të cilëve anëtar në këshillin aktual të bashkisë Shkodër Elton Radovani si shkak i bixhozit dhe varësisë ndaj kazinove nisi duke marrë hua shuma të mëdha parash tek persona të ndryshëm në Shkodër të cilët ia lëshonin me një përqindje që varion nga 3-20% siç bën të ditur prokuroria e Shkodrës.

 

Këto fajde bënë që ish-prefekti të nisë dhe të shesë disa prej pronave të tij. Disa i shiti brenda një kohe të shpejtë ndërsa disa prona të tjera ia morën fajdexhinjtë duke qenë se nuk kishte shlyer tek ata borxhet që kishte. Disa të tjerëve nuk arriti që t’ia shlyente fajdet dhe kështu nisën që edhe t’i bënin presione.

 

Ndërkohë që tashmë dy djemtë e ish-prefektit ndodhen jashtë Shqipërisë, duket se ka qenë e vetmja mënyrë që ato kanë zgjedhur për ti shpëtuar përndjekjes nga fajdexhinjtë ndërsa vetë ish-prefekti mësohet se ndodhet ende në Shkodër.

 

Arsyeja që ka bërë që Radovani të marrë një hap të tillë, kanë qenë problemet e shumta që i kishte sjellë përfshirja e djemve të tij në këtë rrjet. Denoncimi i tij vënë në lëvizje prokurorinë dhe policinë të cilët finalizuan me sukses operacionin e koduar  “Maranaj”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *