Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Holokaustit, që përkujton 27 janarin e vitit 1945, kur “ushtria e kuqe” çliroi kampin Aushvic-Birkenau, të premten në Shkup është bërë promovimi i librit të autores hebreje, Mimi Kamhi Ergas–Faraxhi me titull: “Jeta ime nën pushtimin nazist” .

 

Vajza e autores së librit, Ita Bartuv, thotë se nëna e saj tërë kohën i ka përsëritur se ajo ka lindur dhe ka arritur të mbijetojë me tërë familjen, “falë besës shqiptare”.

 

 

“Gjersa nuk u publikua në tërësi rrëfimi i nënës sime, unë nuk kam pasur njohuri të plota rreth identitetit tim. Kur më quajtën sërish Drita, unë sikur u përmenda, më përshkoi gjithë trupin rrëfimi i nënës sime. Jam mirënjohëse që dikush erdhi dhe pas 70 vitesh e nxori një të vërtetë që ishte e ruajtur për aq kohë në dorëshkrim nga nëna ime. Shpresoj që ky rrëfim do të shërbejë për studiuesit e historisë dhe mbarë njerëzimin, për të mësuar se ç`të keqe solli lufta.”

 

Ministri për Evropën dhe punët e jashtme Ditmir Bushati ishte i pranishëm në Akademinë Përkujtimore që është mbajtur dje në Shkup me rastin e 73-vjetorit të çlirimit të kampit fashist Aushvic.

 

“Me bindje te plote qe nuk kam ndjere emocione si keto qe kam ndjere sot, sepse përgjithësisht ne panelet tona te diskutimit kane qene familje shqiptare qe kane treguar histori nga ajo kohe e tmerrshme. Z. Shurdhi dhe znj. Drita treguan historitë e tyre, natyrisht histori keto te përcjella me shume dashuri dhe me shume besnikëri nga familjet e tyre.”

 

Libri autobiografik “Jeta ime nën pushtimin nazist“, me kujtimet e Mimi Kamhi Ergas-Faraxhi është botuar në tri gjuhë, në shqip, maqedonisht dhe anglisht nga Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve të Maqedonisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *