Presidenti Ilir Meta, në Ditën Ndërkombëtare të Kujtesës ka përkujtuar miliona viktimat e pafajshme të Holokaustit.

 

Kreu i shtetit përmes një postimi në Facebook, shkruan se akte të tilla çnjerëzore nuk duhet të ndodhin më, por mbi të gjitha bota kurrsesi nuk duhet ta lejojë të ndodhë për asnjë motiv.

 

Meta shprehet se ndihet krenar që Shqipëria renditet në listën e pak vendeve që mbrojti dhe mirëpriti mijëra hebrenj.

 

“Në Ditën Ndërkombëtare të Kujtesës, përkujtojmë me nderim miliona viktima të pafajshme të mizorisë së pashpirt të Holokaustit, në mënyrë që antisemitizmi, mungesa e tolerancës, bashkëjetesës, dhe shkeljet e lirive e të drejtave të njeriut, të mos përsëriten KURRË MË. Dy dekada më parë në zemër të Europës, fatkeqësisht ishim dëshmitarë të masakrave e spastrimit etnik dhe fetar në Bosnje e Hercegovinë, dhe Kosovë. Gjenocide dhe akte të tilla çnjerëzore ndaj kujtdo që i përket një feje, etnie apo kombësie ndryshe, nuk duhet të ndodhin dhe nuk duhen lejuar të ndodhin KURRË MË në botën ku jetojmë! Krenar për kombin tonë, që në periudhën më të errët të njerëzimit, mbrojti dhe mirëpriti mijëra hebrenj të larguar nga vendet e tjera, duke mos dorëzuar asnjë te pushtuesit”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *