Prej 6 ditësh vazhdon zjarri në fushën e depozitimit të mbetjeve në qytetin e Elbasanit.
Nje ekip prej rreth 50 personash nga forcat e armatosura, shërbimi zjarrfikës e bashkia e Elbasanit po punojnë për shuarjen e plotë të zjarrit, ndërkohë që në terren janë edhe 20 kamionë, fadroma e traktorë që po përdoren për hedhjen e inerteve.
Ministria e Mbrojtjes sqaroi se dje u punua kryesisht me hedhjen e inerteve dhe kapsulimin e mbetjeve, dhe forcat operacionale edhe sot vijojnë punën për shuarjen e plotë të flakëve.
Ministria gjithashtu sqaroi se dje një grup ekspertësh ishte në terren edhe për të matur ndotjen e ajrit.
Perveç situatës së vështirë në Elbasan, në të gjithë vendin në 24 orët e fundit ka pasur 23 vatra zjarri, nga të cilat 5 janë ende aktive.
Zjarret janë regjistruar kryesisht në sipërfaqe me shkurre dhe bimësi të ulët, ku si pasojë janë djegur rreth 7 hektarë.
Vetëm në 3 raste, në fshatin Marqinet të bashkisë Vorë, në njësinë nr 5 në kryeqytet dhe në një fshat në Korçë, flakët kanë përfshirë dy banesa dhe një ndërtesë, duke shkaktuar dëme materiale.
Në operacionet për shuarjen e zjarreve janë angazhuar 34 automjete zjarrfikëse, 399 forca operacionale dhe 53 mjete të rënda./vizionplus.tv