Subscribe

21 shtete anëtare të BE votojnë sot, në ditën e katërt të zgjedhjeve për Parlamentin Europian. Gjermania, Franca, Italia, Spanja dhe Polonia, 5 shtetet më të mëdha të unionit së bashku dërgojnë pothuajse gjysmën e të gjithë deputetëve në Parlamentin Evropian, 348 nga 751gjithsej.

 

Deri tani kanë votuar Holanda, Britania e Madhe, Irlanda, Letonia, Malta, Sllovakia dhe Republika Çeke, pasi e diela në këto vende nuk është dita tradicionale e zgjedhjeve. Gjithsej 420 milionë qytetarë kanë të drejtë të votojnë.

 

Blloqet e mëdha të partive politike i kanë kthyer këto zgjedhje të nënta për parlamentin e vetëm ndërkombëtar në botë, në zgjedhje vendimtare.

 

Kandidati kryesor i Demokristianëve, politikani i CSU-së, Manfred Veber dhe kreu i socialdemokratëve, Frans Timmermans, gjatë fushatës zgjedhore kanë shprehur shqetësimin për kohezionin e BE-së, për mbrojtjen e demokracive “liberale” kundër modelit “joliberal” të përfaqësuar nga nacionalistët dhe populistët, siç është kryeministri hungarez, Viktor Orban.

 

Ndërsa presidenti francez Emmanuel Macron ka bërë thirrje për një Evropë që mbron dhe kërkon reforma të gjera në fushat sociale dhe politiko-ekonomike.

 

Udhëheqësi i populistëve të djathtë italianë, Matteo Salvini, në të kundërt, dëshiron ta zvogëlojë rrënjësisht bashkëpunimin në Evropë. Si populistët e krahut të djathtë në shumë shtete anëtare të BE-së, ai ndjek moton – “vendi im është i pari”.

 

Partia e tij pritet të jetë forca më e fortë në Itali në këto zgjedhje. Sipas sondazheve nga 28 shtetet anëtare, populistët e krahut të djathtë dhe kundërshtarët e BE mund të marrin 20 deri 23 përqind të vendeve. E djathta vështirë se do të ketë sukses në formimin e një grupi të vetëm parlamentar në parlamentin e ri.

 

Rezultatet e para të votimit pritet të dalin në mbrëmje, pasi të ketë përfunduar procesi në të gjitha vendet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *