Në Ditën Botërore të Zemrës, ministrja Ogerta Manastirliu ishte në qendrën e Hemodinamikës në QSUT, ku vlerësoi punën e madhe të stafeve mjekësore, ndërsa u shpreh se janë kryer mbi 8 mijë procedura vetëm në QSUT gjatë këtij viti.

“Qeveria shqiptare është e angazhuar, ashtu sikurse në parandalim edhe në trajtimin mirë të sëmundjeve kardiovaskulare, për të rritur vitet e shëndetshme, uljen e invaliditetin dhe fatalitetet nga këto sëmundje. Edhe pse në situatë epidemie, puna nuk ka ndalur jo vetëm në këtë qendër e cila performon 7-8 herë më shumë krahasuar me vitin 2014, por edhe në qendrat e hapura në spitalet e tjera. Janë rreth 35 mijë koronarografi të kryera në këto 5 vite për qytetarët, përfshirë edhe urgjencat kardiake 24/7”, tha Manastirliu.

Ministrja deklaroi mes të tjerash se koha e pritjes për një koronarografi nuk i kalon 14 ditë dhe se urgjencat kardiake kryehen në çdo kohë në repartin e hemodinamikës në QSUT, ndryshe nga sa ndodhte disa vite më parë.

“Sot askush nga qytetarët, nga veriu në jug, nuk pret dhe nuk referohet në sistemet jo-publike për të kryer një koronarografi të urgjencës gjatë natës. Sot qytetarët nuk duhet të presin më shumë se 14 ditë nëse duan të bëjnë një ekzaminim nëpërmjet koronarografisë. Për këtë ka vlejtur pikërisht investimi që kemi bërë në Tiranë, në qendrën e specializuar tek “Shefqet Ndroqi”, në Shkodër, dhe në spitalin rajonal të Fierit”, tha Manastirliu.

Nga ana tjetër, shefi i shërbimit të Kardiologjisë 1, Artan Goda u shpreh se qendra e hemodinamikës në QSUT ka një rritje substanciale të volumit të punës së kryer në vitin e fundit. Sipas tij, sfidë mbetet zgjerimi i gamës së ndërhyrjeve, duke theksuar se qendrat publike përballojmë rreth 90 % të ndërhyrjeve në vend.

“Kjo periudhë që nga Dita e Zemrës e vitit të kaluar deri sot që jemi në Ditën e Zemrës, mund të them që duhet konsideruar i suksesshëm për kardiologjinë. Janë shërbyer 5500 të sëmurë gjatë kësaj periudhe, janë kryer rreth 8200 proçedura, vetëm në këtë qendër që është sigurisht më aktivja në vend. Jemi qendra me volumin më të madh të punës në rajon”, tha prof. Goda.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *