Pas dy vjetësh heshtje, bisedimet e ndërmjetësuara nga BE që synojnë normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës  dhe Serbisë do të fillojnë përsëri në muajin korrik. Lajmin e bëri të ditur i dërguari i Brukselit për dialogun, Miroslav Lajçak pas takimit me presidentin serb në Beograd.

MIROSLAV LAJCAK

I DERGUARI I BE PER DIALOGUN

“Ne po propozojmë një marrëveshje gjithëpërfshirëse që do të zgjidhë të gjitha çështjet një herë e përgjithmonë dhe të jetë e pranueshme reciprokisht. Rruga e Serbisë në BE është shumë e lidhur me dialogun. Ne duam që vendi të përparojë drejt anëtarësimit në union.”

Ndërsa presidenti Alexandër Vuçiç deklaroi se Serbia e mbështet rikthimin në dialog.

ALEXANDER VUCIC

PRESIDENT I SERBISE

“Ne i vlerësojmë përpjekjet e bëra nga Richard Grenell në zgjidhjen e problemeve ekonomike midis nesh dhe Prishtinës; megjithatë, nuk ka dyshim se jemi plotësisht të angazhuar në dialogun e lehtësuar nga BE, sepse një pjesë e madhe e çështjeve që diskutojmë me Prishtinën kanë të bëjnë me të ardhmen tonë europiane.”

Këtë të martë, presidenti Vucic do të takohet me homologun rus Vladimir Putin. Ai ka deklaruar se asnjë zgjidhje nuk do të pranohet pa miratimin e Rusisë. Ndërsa të enjten, kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti do të jetë në Bruksel për tu kërkuar liderëve të unionit zgjidhje mbi liberalizmin e vizave. Ky ishte edhe kushti i presidentit Thaçi për rikthimin në tryezën e bisedimeve.  Delegacionet nga Beogradi dhe Prishtina do të takohen në Uashington më 27 qershor. I dërguari special i Uashingtonit për dialogun, Richard Grenell ka deklaruar se Amerika do të fokusohet të ofrojë zgjidhje ekonomike në rajon.

RICHARD GRENELL

I DERGUARI SPECIAL I SHBA PER DIALOGU

“Çështjet politike janë qartësisht kompetencë e europianëve dhe mendoj se do të jenë të suksesshëm. Franca dhe Gjermania i dinë planet tona për tu përqendruar në zhvillimin ekonomik. Ne duam të sjellim bizneset amerikane dhe ato europiane në rajon. Po mundohemi të gjejmë një balancë pasi pas 20 vitesh nuk kemi parë progres të mjaftueshëm në këtë çështje.”

Diplomati amerikan theksoi se Uashingtoni është i shqetësuar nga propaganda ruse dhe politikat destabilizuese që janë të pranishme në rajon.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *