Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Dhurata Çupi komentoi protestat e ditëve të fundit të qytetarëve për Klodian Rashën. Çupi tha në studion e lajmeve në “Vizion Plus” se opozita është në mbështetje të protestuesve.

“Dhuna policore e kësaj qeverie ka qenë gjithmonë në rritje dhe një presion i hapur për çdo qytetar që ka tentuar dhe ka qenë pranë çdo protesutesi. PD është pranë çdo proteste si e drejtë kushtetuese dhe si përfaqësuese e një shumice të madhe ne ju drejtuam SPAK për të mbrojtur të drejtat e këtyre të rinjve.”

Dhurata Çupi hodhi poshtë akuzat e kryeministrit Edi Rama se pas këtyre protestave qëndron e fshehur opozita.

 

“Edi Rama ka shtatë vite që nuk qeveris, që mbush bulevardet me protestues dhe për të hequr vëmendjen edhe nga pandemia, kërkon të bëjë politikë dhe të shantazhojë opozitën dhe të bëjë propagandë sikur pas tyre është opozita. Qeveria e di mirë se cilat janë protestat që bën opozita. Është një përkushtim i gjithë opozitës për të mos lënë një mandat të tretë të Edi Ramës. Ne nuk do të reshtim së punuari për të mos lënë Edi Ramën në pushtet, që është një fatkeqësi e vendit. Qeveri si e Edi Ramës nuk ka patur ndonjëherë vendi ynë dhe urojmë të mos vijë më.”

 

E pyetur nga gazetari Roland Zili për padinë në SPAK për Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Dhurata Çupi tha se Ardi Veliu ka kryer pesë vepra penale dhe duhet të mbajë përgjegjësi për to.

 

“Ne ju drejtuam SPAK sepse kemi bërë kallëzim me prova dhe fakte të provuara tanimë ku kemi kallëzuar Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë. Kemi vërtetuar që drejtori ka konsumuar pesë vepra penale dhe duhet të mbajë përgjegjësi. Kryeministri ka pranuar që Klodian Rasha është vrarë nga shteti dhe duhet të marrë përgjegjësi shteti.”

 

Qytetarët po zhvillojnë protestën e gjashtë për Klodian Rashën këtë të hënë. Ndryshe nga ditët e tjera, sot nuk është shënuar asnjë akt dhune.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *