Katër persona kanë dhunuar me sende të forta avokatin e njohur Sokol Mëngjesi.
Autorët janë identifikuar si Romario Tabaku, Elton Kasaj, Drivald Alija, dhe Dorian Alia. Ky i fundit u vetëdorëzua para autoriteteve pak orë pas ngjarjes, ndërsa tre të tjerët janë në kërkim nga policia.
Drejtori i Policisë së Tiranës, zbuloi se avokati është dhunuar për shkak të një çështjeje gjyqësore të ndjekur prej tij.
Autorët me leva e sende të forta dhunuan mëngjesin e sotëm avokatin Sokol Mëngjesi. Sulmi ndodhi rreth orës 08:50 (të 29 maj 2024) në zonën e ish-bllokut në Tiranë, sapo avokati kishte dalë nga kopshti nr 31, ku kishte çuar djalin e vogël.
Avokati që njihet dhe si një nga avokatët e ish kryeministrit Sali Berisha u dhunua në një zonë të populluar dhe të mbuluar nga kamerat e sigurisë. Nga ajo çfarë kanë filmuar kamerat e sigurisë autorët kanë qenë të pamaskuar por të veshur me kapele dhe me rroba të zeza.
Sipas burimeve autorët i janë afruar avokatit dhe e kanë goditur fillimisht me grushte. Në kamerat e sigurisë shihet qarte se avokati i ka njohur autorët dhe ka folur me ata. Pas bisedës së shkurtër, tre personat e godasin edhe me sende të forta avokatin duke i shkaktuar dëmtime në kokë dhe në trup.
Sokol Mëngjesi është transportuar menjëherë në spitalin e Traumës për të marrë ndihmën mjekësore. Burime spitalore shprehen se ai ka fraktura në kokë si pasojë e goditjeve me sende të forta dhe po i nënshtrohet kontrolleve mjeksore, ndërkohë që pritet të merret në pyejte nga hetuesit. Ai është vizituar nga drejtori i policisë së Tiranës Tonin Vocaj.
Sokol Mëngjesi është një nga avokatët e ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili është në arrest shtëpie i akuzuar nga SPAK për aferën e korrupsionit me ish-kompleksin sportiv Partizani. Madje avokati i dhunuar është vizituar edhe nga Argita Malltezi në ambjentet spitalore./vizionplus.tv





