Subscribe

Muaji dhjetor ka shënuar një bilanc të zi sa i takon numrit të viktimave dhe vrasjeve në të gjithë vendin. Në 24 ditët e muajit të fundit të 2020, Shqipëria është tronditur nga një sërë ngjarjesh kriminale ku u shënuan 10 viktima.

Ngjarja e parë e rëndë ndodhi me 1 dhjetor, ku 27-vjeçari Benjamin Bezhanaj u ekzekutua në automjetin e tij me breshëri plumbash në aksin Orikum-Llogara.

Efektivi i FNSH-së së Shkodrës, Xhulio Prela, u qëllua me armë në makinën e tij në aksin rrugor Lezhë-Laç. Policia ka zbardhur ngjarjen, ku motiv i vrasjes dyshohet se kanë qënë një debat banal për dritat e makinës.

Vrasja e tretë ishte ajo e Klodian Rashës. Ky i fundit u ekzekutua në afërsi të banesës së tij në Laprakë nga efektivi i Forcave “Shqiponja”, Nevaldo Hajdaraj. Vrasja e Rashës, solli një serë protestash të dhunshmes mes qytetarëve dhe policisë së shtetit. Pas kësaj ngjarjeje, Sandër Lleshaj dha dorëheqjen si ministër i Brendshëm.

Dy vëllezërit, Andi e Martin Olldashi u gjetën të pajetë në Zvirinë të Korçës. Ngjarja u zbulua më 10 dhjetor. Viktimat u gjetën në një kanal, ndërsa kishin tre ditë që rezultonin të zhdukur. Dyshohet se vrasja është bërë për shkak të hesapeve për drogën.

Ndërkohë më 15 dhjetor në mes të qytetit të Rrëshenit u vra me armë 51-vjeçari Anton Keli. Viktima, ishte kushuriri i Preng Gjinit, nuk mundi t’u mbijetojë plagëve dhe ndërroi jetë në spital. Hetimet janë përqëndruar në pistën e hakmarrjes.

Krimi tjetër ndodhi në Berat mëngjesin e 17 dhjetorit. 41-vjeçari Ajet Guneli u vra në oborrin e një lokali nga 44-vjeçari Vangjel Polovina për motive të dobta.

Ndërkohë më 20 dhjetor, efektivi i FNSH-së Roland Bicerri, u qëllua për vdekje aksidentalisht me armën e tij nga i biri i tij 7-vjeçar.

Në total, nga 1 janari deri në 20 dhjetor u shënua 57 vrasje dhe 65 viktima. Ndërsa një vit më parë ndodhën 58 vrasje me 64 viktima.

Ajo që bie në sy për të dy vitet, është se pikërisht muajt dhjetor, gusht dhe janar kanë numrin më të lartë të ngjarjeve kriminale, periudhë që përkon edhe me kthimin e emigrantëve në Shqipëri.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *