Dhjetëra palestinezë humbën jetën nga sulmet e fundit të Izraelit në Gaza.
Të paktën 10 persona u vranë vetëm në një shkollë ku strehoheshin familje të zhvendosura si pasojë e një sulmi ajror për të cilin Izraeli tha se kishte shënjestër militantët që vepronin nga brenda kompleksit.
Ushtria izraelite tha se Hamasi dhe grupi aleat i Xhihadit Islamik po vepronin brenda shkollës dhe se ajo mori masa paraprake për të reduktuar dëmin ndaj civilëve përpara se të godiste atje.
Që nga prishja e armëpushimit në mes të muajit mars sulmet izraelite kanë vrarë mbi 1600 palestinezë.
Përveç rikthimit të sulmeve, Izraeli gjithashtu ka vendosur një bllokadë për të gjitha mallrat në Gaza, duke përfshirë karburantin dhe energjinë elektrike, që nga fillimi i marsit.
Situata në Gaza po kthehet në gjendjen e përpara armëpushimit ndërsa negociatat për t’i dhënë fund luftës duket se kanë ngecur, me asnjë përparim në javët e fundit.
Të mërkurën, ministrat e Jashtëm të Gjermanisë, Francës dhe Britanisë së Madhe i bënë një thirrje të përbashkët Izraelit që t’i përmbahet ligjit ndërkombëtar dhe të lejojë kalimin e papenguar të ndihmave humanitare në Gaza.
Ata kërkuan gjithashtu që të rivendoset armëpushimi dhe të lirohen pengjet e mbetura të mbajtura nga grupi militant Hamas.
Por ministri i jashtëm izraelit mohoi që të kishte pengim të futjes së mallrave edhe pse terreni tregon të kundërtën./vizionplus.tv