Sugjerimi i Presidentit amerikan Donald Trump se dezinfektantët mund të përdoren për të trajtuar pacientët me koronavirus po shkakton alarm mes ekspertëve të shëndetësisë, si dhe paralajmërime nga një kompani prodhuese e produkteve sanitare.

Presidenti Trump tha në konferencën e tij të rregullt për shtyp për situatën me pandeminë e koronavirusit, se shkencëtarët duhet të hetojnë futjen e dezinfektantëve në trupat e pacientëve për të kuruar COVID-19, sëmundjen e shkaktuar nga koronavirusi.

E shoh që dezinfektanti e eliminon në një minutë, një minutë“, tha Presidenti Trump. “Dhe, a ka ndonjë mënyrë që të mund ta bëjmë diçka të tillë nëpërmjet injeksionit, brenda, ose thuajse një pastrim?”

Ndërsa e ndiqte me sy koordinatorja e përgjigjes ndaj koronavirusit, mjekja Deborah Birx, Presidenti Trump vuri në dukje se virusi “shkakton një dëmtim të jashtëzakonshëm në mushkëri, kështu që do të ishte interesante të shihet ky opsion“.

Sidoqoftë, mjekët dhe ekspertët e tjerë të shëndetit po paralajmërojnë kundër sugjerimit të Presidentit Trump për të përdorur dezinfektantë për të trajtuar virusin.

“(Ky është) një sugjerim absolutisht i rrezikshëm, i çmendur“, tha Paul Hunter, profesor i mjekësisë në Universitetin e Anglisë Lindore, Britani.

Një farmaciste akademike në Universitetin Reading në Berkshire, Angli, Parastou Donyai, shprehu tronditje për ato që ajo tha se ishin “komente jo-shkencore” që mund të shtyjnë njerëzit me virus të kërkojnë trajtime shtëpiake.

Ajo që është tronditëse për këto komente të fundit është se ato anashkalojnë plotësisht fakte të tjera të rëndësishme në lidhje me injeksionet… jo vetëm që injeksionet e bëra në shtëpi do të shkaktojnë fryrje, djegie ose bllokim të venave; ato me siguri do të fusin edhe infeksione të reja drejtpërdrejt në trup, gjëja që njerëzit po mundohen kaq shumë ta shmangin“, thotë zonja Donyai. “Njerëzit e shqetësuar për koronavirusin ose COVID-19 duhet të kërkojnë ndihmë nga një mjek ose farmacist i kualifikuar, dhe të mos marrin komente të pabazuara dhe spontane si këshilla reale“.

Profesori i politikës publike të Universitetit të Kalifornisë dhe ish-Sekretari amerikan për Çështjet e Punësimit, Robert Reich shkruajti në Twitter se “konferencat e (Presidentit) Trump po rrezikojnë në mënyrë aktive shëndetin e publikut” dhe këshilloi që njerëzit “të mos pinë dezinfektantë“.

Komentet e Presidentit Trump kanë sjellë gjithashtu paralajmërime nga prodhuesit e dezinfektantëve shtëpiakë. Prodhuesi i Lysol dhe Dettol, kompania britanike Reckitt Benckiser, tha, “Në asnjë rrethanë nuk duhet të futen produktet tona dezinfektuese në trupin e njeriut, përmes injektimit, gëlltitjes ose në ndonjë rrugë tjetër“.

Ish-kreu i Zyrës së Etikës së Qeverisë amerikane, Walter Shaub, shkruajti në Twitter se konferencat e rregullta për shtyp të Presidentit Trump po rrezikojnë jetë njerëzish.

Si formë shërbimi publik, ju lutem ndaloni së transmetuari këto konferenca për koronavirusin; ato po rrezikojnë jetë“, tha zoti Shaub. “Dhe ju lutemi mos pini ose injektoni dezinfektantë“.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Kayleigh McEnany, tha në një deklaratë të premten se Presidenti Trump u ka kërkuar njerëzve që të kontaktojnë mjekët e tyre në lidhje me trajtimin, dhe akuzoi mediat se shtrembërojnë komentet e tij.

Presidenti Trump ka thënë vazhdimisht se amerikanët duhet të konsultohen me mjekët në lidhje me trajtimin e koronavirusit, diçka që ai e theksoi përsëri gjatë konferencës së djeshme“, tha McEnany.

Nxehtësia dhe drita

Presidenti Trump diskutoi gjithashtu për përdorimin e mundshëm të nxehtësisë dhe dritës për të trajtuar koronavirusin gjatë konferencës të së enjtes.

Kur e pyetën nëse është e rrezikshme t’i bësh njerëzit të mendojnë se do të ishin të sigurt duke dalë jashtë në të nxehtë, duke pasur parasysh që kaq shumë njerëz kanë vdekur në shtetin amerikan të Floridës, Presidenti Trump tha: “Unë shpresoj që njerëzit të shijojnë diellin. Dhe nëse ka një ndikim, kjo është e shkëlqyeshme“.

Komentet e Presidentit Trump erdhën pasi Nënsekretari për Shkencën në Departamentin e Sigurisë, William Bryan, tha se kishte studime “në zhvillim” mbi aftësinë e dritës së diellit dhe lagështisë për të zvogëluar rrezikun e virusit.

Presidenti Trump e pyeti zonjën Birx gjatë konferencës nëse ajo ishte në dijeni të ndonjë evidence që nxehtësia ose drita mund të përdoren si trajtim i mundshëm. Ajo u përgjigj duke thënë: “Jo si trajtim“.

Studimet e kaluara nuk kanë gjetur prova që temperaturat e ngrohta dhe nivelet më të larta të lagështirës në pranverë dhe verë mund të ndihmojnë në frenimin e përhapjes së virusit.

Trajtimet me klorokinë

Presidenti Trump ka nxitur në mënyrë të përsëritur për trajtime të paverifikuara të koronavirusit, përfshirë përmendjen e hidroksilklorinës si përbërësi që do të ndryshojë gjërat, një deklaratë për të cilën zyrtarët shëndetësorë kanë paralajmëruar të kundërtën.

Një burrë në shtetin jugperëndimor Arizona vdiq në fund të muajit të kaluar pasi konsumoi fosfat klorokuine, i cili përdoret për të trajtuar malarien. Bashkëshortja e tij i tha kanalit NBC News se ai besonte se kjo do ta mbronte atë nga infektimi me koronavirusin, pasi shikoi Presidentin Trump gjatë konferencave të tij televizive, të përmendë përfitimet e mundshme të fosfatit klorokuin.

Në një tjetër zhvillim, njeriu i cili dikur ishte zyrtari më i lartë i Departamentit të Shëndetit dhe Shërbimeve Njerëzore, Dr. Rick Bright, thotë se u pushua nga puna e tij më herët këtë javë, pasi u rezistoi kërkesave që ai të aprovonte trajtime me klorokuinë.

Kryetarja demokrate e Nënkomisionit për Energjinë dhe Tregtinë në Dhomën e Përfaqësuesve, Anna Eshoo, tha të enjten se planifikon të mbajë seanca dëgjimore për largimin e zotit Bright.

Shtetet e Bashkuara udhëheqin botën deri më tani në nivelin e vdekjeve nga COVID-19, me të paktën 50 mijë viktima, pra më shumë se një e katërta e vdekjeve në të gjithë botën, sipas shifrave të Universitetit Johns Hopkins./Burimi: VOA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *