Procesi per shpërndarjen e licencave numerike, sipas procedurës beauty contest, ka dështuar. Ne mbledhjen e Autoritetit te Mediave Audiovizive, paraditen e se hënës nuk u arrit numri i kërkuar prej 5 votash dhe si rezultat nuk u krye shpërndarja e licencave. Vete AMA ne njoftimin zyrtar, sqaron se dy prej anëtarëve, përkatësisht Sami Nezaj, zëvendëskryetar dhe Suela Musta, anëtare, vendosën rrëzimin e aplikimeve të subjekteve, pasi licencimi sipas procedurës beauty contest, kryhet për një periudhë tranzicioni dhe afati përfundimtar i kalimit të plotë në transmetimet numerike është data 17 qershor i vitit te kaluar, nje afat i djegur tashme. Por nje arsye tjetër per te cilën 2 anëtaret e propozuar ne kete institucion nga partia demokratike kane votuar kundër eshte se nuk janë respektuar rregullat e pronësisë. Pas këtij dështimi, gara per dhënien e licencave kombëtare private të transmetimit audioviziv sipas procedurës beauty contest, do te hapet nga fillimi.
Partia Demokratike ka reaguar ne mbrojtje te ish-kryetares se AMA-s Endira Bushati duke lëshuar akuza te forta ndaj prokurorit Enklid Gjini, i cili sipas PD kujtohet pas 2 vitesh për të dërguar për gjykim anëtaren e Kryesisë së PD-së, kryetaren e Departamentit për Administratën Publike, Endira Bushati.
“Akuza se, AMA ka lejuar piraterinë, sepse ka detyruar televizionet kabllore që të mbartnin hapur dhe falas televizonet kombëtare, të cilat nuk shtrihen në 80 % të territorit sic e përcakton ligji, jo vetëm është qesharake nga pikëpamja juridike, por dëshmon dhe se prokuroria nuk ka kryer asnjë hetim, por vetëm është perdorur politikisht.
Që televizionet kombëtare të mbarten falas dhe pa pagesë, nga çdo rrjet apo platformë, jo vetëm është në përputhje me ligjin shqiptar, por është dhe në përputhje me direktivat evropiane në këtë fushë.
Ky akt i prokurorisë është tërësisht në përputhje me interesat klienteliste të televizioneve kombëtare, që këta të fundit të mbështeten vetëm në një platformë dhe për të detyruar shqiptarët të blejnë me çmim të lartë kartën e kësaj platforme, për diçka që ligji ua njeh ta marrin falas.
Po kështu, ky akt i prokurorisë është në vazhdën e veprimeve të Ramës, për t’i mbyllur gojën opozitës, për denoncimet e saj, me padi e akuza të trilluara dhe për të frikësuar çdo media të lirë të mbetur ende në vend, përmes presionit nga monopoli mediatik në dorën e tij”.