Nje dite e ngjeshur takimesh qe përfundoi me dështimin e bisedimeve mes palëve, te iniciuara nga negociatoret ndërkombëtarë Devid Mekalister dhe Knut Flekenshtajn. Pas diskutimeve intensive fillimisht në zyrat përkatëse e më pas në Pallatin e Kongreseve, me krerët e koalicionit qeveritar Rama e Meta, si dhe me liderin e opozitës Basha, dy negociatorët nuk arritën të bindin palët të ulen në tryezë për arritjen e një marrëveshjeje.

 

Në deklaratën e shpërndarë për mediat në orët e vona, theksohet se palëve iu propozuan disa pika që mund të sillnin kompromisin. Kreu i Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian Devid Mekalister dhe raporteri për Shqipërinë në Parlamentin Europian, knut Fleckenstein u takuan me shumicën dhe opozitën dhe patën një bisedë të mirë. Dy eurodeputetët prezantuan propozimet për të ecur përpara, ku përfshihen çështjet e dekriminalizimit, luftës kundër lëndëve narkotike, masat teknike për përmirësimin e administrimit të zgjedhjeve dhe masave për ndërtimin e besimit politik.

 

Ata gjithashtu propozuan ide per diskutimin për datën e zgjedhjeve dhe ndryshimeve të mundshme parazgjedhore të strukturave qeveritare për të patur një besim afatgjatë tek sistemi. Nga mazhoranca pati dakordesi për pikat e parashikuara, nëse vetingu miratohet në Parlament. Partia Demokratike iu përmbajt qëndrimit për caktimin e një kryeministri teknik dhe për miratimin e nje sistemi votimi elektronik në të mirë të zgjedhjeve të lira e të ndershme. Dhe ashtu siç përmendet në deklaratën e negociatorëve Mekalister dhe Flekenshtajn, kryeministri Rama nuk ka pranuar të diskutojë asgjë pa Vetingun.

 

Ndërsa propozimin për shtyrjen e zgjedhjeve për një muaj dhe disa ndërhyrje në qeveri, për te vendosur ministra teknikë, Ilir Meta e ka pranuar plotësisht. Rama nga ana e tij as e ka pranuar dhe as e ka refuzuar, por ka nënvizuar se është gati të diskutojë një shtyrje të arsyeshme brenda kufirit të lejuar nga kodi zgjedhor, domethënë 30 qershori, me kushtin qe gjithçka te filloje nga vetingu.

 

Nga opozita, ndërkohë rrodhi informacioni se oferta ishte për shtyrjen e zgjedhjeve në 16 korrik, si dhe ndryshimin e disa ministrave politikë me përfaqësues teknike. Por kjo është refuzuar sërish nga Basha. Negociatat e vështira nisën me takimin që kreu i Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian David Mekalister dhe Raporteri për Shqipërinë Knut Flekenshtajn, patën me kryeministrin Rama dhe kryetarin e kuvendit Ilir Meta.

 

Më pas, negociatorët qëndruan për afro 90 minuta në zyrën e Bashës. Pak më vonë, takimet u zhvendosën në Pallatin e Kongreseve, ku u realizuan takime të ndara pas ofertës së bërë palëve. Basha doli i pari, me qëndrimin për të mos hequr dorë nga qeveria teknike. Pas tij, edhe Rama e Meta që ishin takuar ndërkohë me raporterin Flekenshtajn. Dy negociatorët dolën të fundit dhe kaluan një darkë. Ndërsa Basha, pasi doli nga Pallati i Kongreseve, takoi në zyrën e tij ish-kryeministrin Sali Berisha.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *