Departamenti amerikan i Drejtësisë tha të enjten se ka akuzuar katër zyrtarë të qeverisë bjelloruse për pirateri ajrore për shkak të devijimit të një avioni të linjës ajrore Ryanair majin e kaluar për të arrestuar një gazetar disident bjellorus që ishte brenda avionit.

 

Prokurorët amerikanë thanë se zyrtarët bjellorusë komplotuan duke thënë në mënyrë të rreme se ekzistonte një kërcënim me bombë për ta përdorur si justifikim për të devijuar fluturimin 4978 të linjës Ryanair për në Minsk në vend të itinerarit të planifikuar për në Vilnius të Lituanisë nga Athina e Greqisë.

 

Sipas prokurorëve, pasagjerët u urdhëruan të hipnin në autobusët e aeroportit dhe më pas u mbajtën në terminal, ku gazetari dhe e dashura e tij u dërguan gjetiu. Prokurorët shtuan se nuk u gjet asnjë bombë.

 

Departamenti i Drejtësisë tha se të pandehurit janë Leonid Mikalaevich Churo dhe Oleg Kazyuchits, përkatësisht drejtori i përgjithshëm dhe zëvendësdrejtori i përgjithshëm i autoritetit shtetëror të aviacionit të Bjellorusisë; dhe oficerët e sigurimit shtetëror të Bjellorusisë, Andrey Anatolievich Lnu dhe Fnu Lnu.

 

Mbi ta u ngrit akuza për komplot për të kryer pirateri ajrore dhe nuk janë kapur ende, tha departamenti. Ambasada e Bjellorusisë në Uashington nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment./VOA

Leave a Reply

Your email address will not be published.