Vijon grabitja e trashëgimisë arkeologjike në zonën e Selcës së Poshtme. Të dielën, në zonën arkeologjike të Varreve Monumentale Ilire, janë konstatuar disa gropa të thella të gërmuara në mënyrë të paligjshme nga persona të paidentifikuar. Dyshohet se autorët janë në kërkim të metaleve apo objekteve me vlerë të lartë historike e monetare.
Fillimisht u raportua për një gropë, por kontrolli i mëvonshëm zbuloi tre të tilla, të cilat sipas ekspertëve janë realizuar së fundmi, duke treguar qartazi se grabitësit kanë vepruar për ditë të tëra pa u vënë re.
“Gërmime të paligjshme janë konstatuar pranë varrit nr. 3, në pjesën e sipërme të varrit nr. 4 dhe pas pjesës shkëmbore të varrit nr. 5. Nga natyra dhe mënyra e gërmimit dyshohet se kemi të bëjmë me persona me përvojë, jo thjesht amatorë. Është urgjente që në këtë sit me rëndësi të veçantë kulturore të vendosen elementë sigurie për të parandaluar dëmtime të mëtejshme”, tha arkeologu Florenc Cenolli.
Policia e Pogradecit nuk ka identifikuar ende asnjë të dyshuar, ndërsa nuk dihet nëse mbi këto raste ka nisur një hetim zyrtar.
Kjo nuk është hera e parë që ndodhin fenomene të tilla. Dy muaj më parë, një banor i zonës kishte raportuar hapjen e një grope të ngjashme nga persona të paidentifikuar, që gjithashtu dyshohet se ishin në kërkim të objekteve të trashëgimisë.
Siti arkeologjik i Selcës së Poshtme, i shpallur Monument Kulture i Kategorisë së Parë, përbën një nga pasuritë më të çmuara të trashëgimisë Ilire. Degradimi për shkak të mungesës së mbrojtjes rrezikon të fshijë pjesë të rëndësishme të historisë sonë.





